FRANCE- Presidenti francez, Emmanuel Macron, zbehu shpresat e vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrimin në BE, kur deklaroi se para zgjerimit duhet një reformim i thellë në union. Ai u shpreh sot në Samitin e Sofjes se mbështet Ballkanin të ecë përpara në drejtim të integrimit në BE, por për zgjerimin duhet kujdes.

Ajo që kemi parë gjatë 15 viteve të fundit është një rrugë që ka dobësuar Europën sa herë që mendojmë ta zgjerojmë atë. Dhe unë nuk mendoj që ne bëjmë një shërbim për vendet kandidate apo veten tonë duke pasur një mekanizëm që në njëfarë mënyre nuk ka më rregulla.

Unë jam mbështet rrugëtimin e Ballkanit në BE, por unë mendoj se ne duhet të shohim çdo zgjerim të ri me shumë kujdes. Nuk jam në favor të lëvizjes drejt zgjerimit para se të kemi të gjitha sigurinë e nevojshme dhe para se të bëhet një reformë reale për funksionim më të mirë të Bashkimit Evropian.

Deklarata e tij është një përsëritje e qëndrimit të pak javëve më parë kundër zgjerimit të BE në Ballkan para reformës në union. Ndërkohë që deklarata e sotme vjen pak javë para se të vendoset për Shqipërinë dhe Maqedoninë në fund të qershorit për negociatat.

Në 17 prill KE rekomandoi hapjen e negociatave për Shqipërinë, ndërsa pritet vendimi i tre vendeve skeptike Gjermanisë, Francës dhe Holandës. Para dy ditësh Rama takoi Presidentin francez për ta bindur që t’i japë një shans Shqipërisë për hapjen e negociatave, por Emmanuel Macron vijon që të jetë mjaft skeptik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb