Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë në Forumin Botëror të Engjëjve të Biznesit 2021, që këtë vit po zhvillohet online për shkak të pandemisë Covid-19, me temë: “Furnizimi dhe ushqimi i ekonomisë së Evropës Juglindore përmes nëpërmjet inovacionit dhe sipërmarrjes”.

Në këtë forum të rëndësishëm, merrte pjesë Drejtori Ekzekutiv i Forumin Botëror të Engjëjve të Biznesit, Baybars Atluntas, ish-Presidenti i Krocisë, Ivo Josipoviç, Presidentja e Organizatës Kombëtare të Turizmit të Greqisë, Angela Gerekeu, Presidenti i Institutit Europian të Markave, Gerhard Hrebicek dhe shumë personalitete të ekonomisë, biznesit dhe turizmit nga vendet e rajonit dhe Bashkimit Europian.

Presidenti i Republikës duke iu drejtuar të pranishmëve, deklaroi se qeveritë duhet të miratojnë politika dhe strategji efikase për të ndihmuar biznesin, që përfshijnë mbështetjen e grave sipërmarrëse, përmirësimin e sistemit të kredidhënies, respektimit e të drejtave të pronësisë dhe garantimin e edukimit ekonomik në të gjitha nivelet e arsimit.

“Është kënaqësi e madhe të jem këtu, në Forumin Botëror të Investimeve të Biznesit, për të ndarë me ju disa nga idetë e mia se si Shqipëria dhe ekonomia e Evropës Juglindore mund të ushqehen dhe furnizohen nëpërmjet inovacionit dhe sipërmarrjes.
Sikurse jemi të vetëdijshëm të gjithë, nocioni i Evropës Juglindore përfshin një numër vendesh të rajonit tonë. Qëllimi kryesor i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore është jo vetëm që të zhvillojë partneritetin ndërkombëtar, por edhe të përmirësojë procesin e integrimit territorial, ekonomik dhe shoqëror si dhe të kontribuojë në kohezionin, stabilitetin dhe konkurrencën e rajonit tonë.
Këto synime mund të arrihen përmes forcimit të sigurisë dhe situatës politike, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, intensifikimit të marrëdhënieve ekonomike dhe bashkëpunimit në fushat e burimeve njerëzore, demokracisë dhe drejtësisë”, deklaroi Meta.

Ai tha se sfidat me të cilat po përballemi janë të mëdha, sidomos gjatë kësaj periudhe kohore të vështirë të pandemisë COVID-19.
“Ekonomitë tona po vuajnë për shkak të situatës pandemike dhe ato duhet, me të gjitha mënyrat, të përmirësojnë performancën e tyre duke përdorur sa më mirë të munden mjetet e nevojshme, siç janë inovacioni dhe teknologjia dhe gjithashtu, mbështetja dhe rritja e sipërmarrjes.
Rajoni ynë është i pasur me burime natyrore, kështu që mundësitë e biznesit mund të shfaqen në të gjithë sektorët. Është shumë e rëndësishme, që secili vend duhet kryesisht të mbështesë sektorët ku përparësia krahasuese mund të arrihet në raport me vendet e tjera”, u shpreh Kreu i Shtetit.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ai theksoi se Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet për të zhvilluar edhe më tej sektorë si turizmi, bujqësia ose teknologjia e informacionit (IT) për shkak të natyrës, veçorive specifike, motit dhe popullsisë së saj.

“Nga ana tjetër, për shkak të rritjes së shpejtë të tregtisë ndërkombëtare në ekonominë botërore, politikat që e bëjnë një ekonomi të hapur për tregti dhe investime me vendet fqinje si dhe me pjesën tjetër të rruzullit, janë më se të nevojshme për shënuar një rritje të qëndrueshme ekonomike.
Për të qenë të suksesshëm si dhe për të arritur një rritje të qëndrueshme ekonomike, ekonomitë tona duhet të garantojnë prodhime dhe shërbime me cilësi dhe siguri të lartë. Për të përmbushur këtë detyrë, ka shumë rëndësi mbështetja e sipërmarrësve dhe kuptimi i inovacionit si dhe përfitimeve prej tij.
Sipërmarrësit janë njerëz që kërkojnë ide të reja, i kthejnë e i shndërrojnë ato në mundësi, duke pranuar gjithashtu rrezikun që ato mund të sjellin me vete.
Ata janë një pasuri e madhe për një vend, sepse ushqejnë dhe furnizojnë rritjen ekonomike nëpërmjet ngritjes dhe krijimit të bizneseve të reja, që plotësojnë nevojat dhe kërkesat në treg. Ata ofrojnë mundësi punësimi dhe hapin vende të reja pune, duke rritur dhe përmirësuar kështu cilësinë e jetës si dhe standardin e jetesës së komuniteteve të tyre.
Ata investojnë dhe zgjerohen jo vetëm në tregun e brendshëm vendas, por edhe në tregjet e reja rajonale dhe globale. Në këtë mënyrë ata kontribuojnë jo vetëm në forcimin e ekonomisë së vendit të tyre, por kontribuojnë gjithashtu drejtpërdrejt në mirëqenien dhe prodhimtarinë e rajoneve”, tha Meta.

Sipas Presidentit, për këtë arsye qeveritë duhet të luajnë një rol të rëndësishëm përmes zhvillimit të politikave dhe strategjive që mbështesin sipërmarrjen dhe sigurojnë rritjen e saj.
“Disa nga këto politika dhe strategji përfshijnë mbështetjen e grave sipërmarrëse, përmirësimin e sistemit të kredisë në të gjithë vendin, përmirësimin e të drejtave të pronësisë, investime në efiçiencën e energjisë, lehtësimin e tregtisë përtej kufijve, mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME) dhe ndërmarrjeve të porsahapura, investimin në biznes dhe edukimin ekonomik në të gjitha nivelet e arsimit.
Nga ana tjetër, sipërmarrësit duhet të investojnë në inovacion dhe teknologji, në mënyrë që të përmirësojnë edhe më tej mallrat dhe shërbimet si dhe të rrisin të ardhurat e tyre. Duke prezantuar inovacionin dhe teknologjinë, nga njëra anë, ata rrisin prodhimtarinë e kompanive të tyre, ndërsa nga ana tjetër, nxisin dhe stimulojnë rritjen ekonomike të vendit”, tha Meta.

Ai u shpreh se një rol të rëndësishëm në këtë proces luajnë veçanërisht rishtarët – ndërmarrjet e porsahapura, kompanitë e shkallës së epërme si dhe kompanitë e reja të teknologjisë.

“Inovacioni është thelbësor sidomos kur trajtojmë sfida të rëndësishme mjedisore si: ndryshimi i klimës, emetimi i gazrave serë ose ruajtja e biodiversitetit, sepse krijon efikasitet dhe ndihmon në ruajtjen e burimeve tona.
Në përgjithësi, inovacioni ndikon në objektivat tona ekonomike dhe sociale si dhe përmirëson mirëqenien e popullsisë sonë.
Siç e shohim qartë, ekziston një lidhje e fortë midis inovacionit, sipërmarrjes dhe zhvillimit ekonomik.
Është e rëndësishme sidoqoftë që të kuptohet se sipërmarrja dhe inovacioni mbështeten në faktorë të rëndësishëm si: mundësia për t’u arsimuar, një fushëveprimi e barabartë, investime të orientuara kah kërkimi dhe zhvillimi, investime në burime njerëzore, përmirësim efikas të proceseve të biznesit, etj.
Duke u mbështetur në faktorët e përmendur më lart, është e rëndësishme që Qeveritë dhe politikat, që ato hartojnë dhe ndërmarrin, të krijojnë kushte sa më të mira për sipërmarrësit që të nisin biznesin e tyre, për t’i rritur ato si dhe për të investuar në inovacione dhe teknologji. Nëse u ofrojmë sipërmarrësve tanë kushtet më të mira të mundshme, ata do të ndihmojnë ekonomitë tona që të përmirësohen dhe të përparojnë, dhe ata do t’i shërbejnë shoqërisë sonë për të zgjidhur dhe kapërcyer sfidat dhe problemet përmes inovacionit dhe teknologjisë”, deklaroi Presidenti.

Meta theksoi më tej se ofrimi i kushteve më të mira të mundshme ndaj sipërmarrësve mbetet një sfidë e madhe për vendet e Evropës Juglindore.
“Por jam i sigurt se veprimtari të tilla si Forumi Botëror i Engjëjve të Biznesit do të na ndihmojë të gjithëve që të vlerësojmë nevojat si dhe të përcaktojmë objektiva, me qëllimin përfundimtar të gjenerimit të zhvillimit ekonomik, të vendeve të punës dhe më shumë drejtësi sociale në mbarë botën”, përfundoi Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: