Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të thërrasë seancën për votimin në lexim të dytë të Ligjit për Specialen, duke deklaruar se nuk ka asnjë pengesë për miratimin e tij.
Hamza tha se kërkesa e PDK-së është e qartë dhe se çështja nuk duhet të trajtohet si përkatësi e një partie politike. Ai gjithashtu bëri të ditur se nuk ka pasur komunikim me kryeministrin Albin Kurti.
“Jo, ne nuk kemi pasur komunikim. Kërkesa jonë është e qartë: të thirret seanca dhe ligji të votohet në lexim të dytë. Nuk ka as vështirësi, asnjë pengesë”, tha Hamza.
Ai theksoi se PDK-ja ka kërkuar vazhdimisht që ligji të miratohet në të dyja leximet.
“Ne kemi folur vazhdimisht, kemi thënë që ligji duhet të votohet në të dyja leximet, duhet të aprovohet. Kjo nuk është çështje që i takon një partie politike. UÇK-ja ka ekzistuar para se të ekzistonte PDK-ja dhe partitë e tjera. Në të gjitha partitë ka ushtarë të UÇK-së. UÇK-ja është derivat i popullit të Kosovës”, deklaroi ai.
Hamza i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti, kryetares së Kuvendit dhe deputetëve që të procedojnë me votimin e ligjit.
“I bëj ftesë Kurtit, Kuvendit dhe Haxhiut që ta thërrasin seancën, të na thërrasin deputetëve dhe ta aprovojmë ligjin në lexim të dytë”, tha kreu i PDK-së.
Sa i përket çështjes së presidentit, Hamza tha se ajo duhet të trajtohet veçmas nga miratimi i ligjit.
“Presidenti është e ndarë. Kryhet ligji në lexim të dytë, atëherë vijnë çështjet e tjera”, u shpreh ai.
Hamza foli edhe për situatën politike në vend, duke thënë se nuk beson se Kosova duhet të shkojë në zgjedhje. Sipas tij, ekzistojnë mundësi për bashkëpunime të tjera politike.
“Nuk besoj që vendi duhet me shku në zgjedhje. Ka pasur opsione: s’po të pëlqen me PDK-në, bëje me LDK-në. Me LDK-në s’po më pëlqen, me PDK-në s’po më pëlqen. Me LDK-në kritere të tjera, me PDK-në kritere të tjera. Është përgjegjëse për situatën e krijuar në vend”, tha Hamza.
