Presidentja e Harvardit, Claudine Gay, ka dhënë dorëheqjen, raportoi të martën gazeta studentore “Harvard Crimson”, pasi ajo dhe presidentët e tjerë të universiteteve më të njohura të vendit, u kritikuan gjerësisht për dëshminë e tyre në Kongres rreth antisemitizmit në kampuset e tyre.

Mandati i zonjës Gay ishte më i shkurtri në historinë e Harvardit, tha gazeta, dhe pasoi trysninë në rritje për dorëheqjen e saj muajin e kaluar, pasi Presidentja e Universitetit të Pensilvanisë, Liz Magill, dha dorëheqjen për të njejtat arsye.

Presidentet Gay, Magill dhe Sally Kornbluth e Institutit të Teknologjisë në Masaçusets, dëshmuan para një Komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve më 5 dhjetor mbi rritjen e antisemitizmit në kampuset e universiteteve pas shpërthimit të luftës Izrael-Hamas në tetor.

Treshja nuk pranoi t’i jepte një përgjigje të prerë “po” ose “jo” pyetjes së ligjvënëses republikane, Elise Stefanik, nëse thirrja për gjenocid ndaj hebrenjve përbënte shkelje të rregullave të universiteteve të tyre, duke thënë se ato duhej ta balanconin atë me mbrojtjen e fjalës së lirë.

Më shumë se 70 ligjvënës amerikanë nënshkruan një letër, e cila kërkonte që bordet drejtuese të tre universiteteve të pushonin nga puna presidentet e këtyre universiteteve, duke përmendur pakënaqësinë me dëshminë e tyre në Kongres.

Megjithatë, zonja Gay mori mbështetje nga një pjesë e kolegëve të saj në Universitetin e Harvardit. Disa qindra anëtarë të fakultetit nënshkruan muajin e kaluar një peticion duke u kërkuar administratorëve të universitetit që të mos i nënshtroheshin trysnisë politike për të shkarkuar presidenten e shkollës për dëshminë e saj në Kongres.

Claudine Gay është goditur edhe me akuza për plagjiaturë. Ajo planifikoi të paraqiste tre korrigjime në punimin e doktoraturës së saj të vitit 1997 pasi një komision, që po hetonte akuzat për plagjiaturë kundër saj, zbuloi se ajo kishte bërë gabime në citime, tha një zëdhënës i universitetit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb