Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, duke folur në emisionin “Real Story” në “News 24”, deklaroi se ekspertët kanë thënë se pritet një rritje e qëndrueshme e të të infektuarve me Covid-19.

Manastriliu u shpreh se qeveria po përgatitet për të pasur të gjitha kapacitetet e nevojshme për të përballuar këtë situatë

“Në 7 vite ne kemi hedhur bazat për një shëndetësi më të mirë. Ndërsa, me pandeminë kemi bërë shumë. Ka projeksion për të ardhmen si do jetë gjendja. Sipas pritshmërive, ne do të kemi raste në rritje sa i përket të të infektuarve me koronavirus. Ajo që pritet është reflektimi. Ne presim një rritje të qëndrueshme, jo eksponenciale.

Kemi rihapur spitalin “Shefqet Ndroqi” që ka kapacitet shtretërish, në dispozicion pacientësh. Kemi nisur të rrisim edhe kapacitetet në spitale. Po përgatitemi për të pasur të gjitha kapacitetet e nevojshme për të përballuar situatën. Ne po ndërtojmë kapacitete edhe në spitale rajonale, sepse nuk e dimë sesa shkon numri i të infektuarve me koronavirus. Ky moment kërkon veprim të fortë. Duam edhe sjelljen e duhur qytetare ndaj Covid-19. Të rinjtë sidomos duhet të kenë kujdes”, u shpreh Manastirliu.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb