Tirana do të ndeshet në ndeshjen e parë të fazës së katërt me Kukësin ditën e nesërme në “Elbasan Arena”. Në prononcimin për mediat, trajneri i bardhebluve, Orges Shehi, shpreson te fitorja e skuadrës së tij dhe kërkon një mbështetje nga tifozët në stadium.

Si e shihni kundërshtarin në krahasim me takimet e mëparshme?

Është takimi i parë i fazës së katërt, pra fazës finale edhe kërkon që të jesh më cinik, më i vendosur për episodet, për të gjithë situatën e ndeshjes, sepse gabimet janë shumë pak të rikuperueshme se javët sa vijnë e ngushtohen.

Sigurisht që në fazën e katërt çdo skuadër ka pritshmëritë e veta, dikush jo. Nuk e di çfarë pritshmërishë ka Kukësi, por në atë pozicion ata do të kërkojnë që të ngrihen në tabelën e klasifikimit. Pra do të jetë një skuadër e mobilizuar, në 100% e vet. Kështu që na takon ne ta interpretojmë sa më mirë dhe për pozitat që jemi ne duhet të japim jo maksimumin, por më shumë se maksimumin.

Ndeshjen e fundit jeni mundur me dy gjuajtje në portë. Çfarë do ndryshojë këtë herë?

Janë 9 javë para. Sigurisht që nuk na erdhi mirë për atë humbje, sepse mendoj se meritonim të dilnim me pikë nga ajo ndeshje. Por në futboll kështu është. Fiton ai që është më cinik dhe është gjithmonë në atë përqendrimin e madh që të mos lësh kundërshtarin të afrohet.

Në futboll fitohet me standarde, fitohet me tranzicion, fitohet me lojë të rrjedhshme. Kështu që ne duhet të interpretojmë të gjitha elementet e përmendura nesër shumë mirë.

Si është atmosfera dhe a ka rikuperime ose dëmtime?

Tani atmosfera kur je në këto pozita dhe kur vjen pas një fitore normal që është e mirë. Kemi rikuperuar Deliun që do të jetë pjesë e skuadrës. dhe pjesa tjetër është e gatshme përveç Patrikut që dihet që na mungon.

Me pikë të barabarta me Partizanin. Ndikon kjo te skuadra?

Ne jemi të kënaqur me ecurinë që kemi bërë këtë vit. E kam përmendur dhe s’dua ta përmend më. Gjithë ai tranzicion, gjitha ato lëvizje lojtarësh në të dyja fazat e kampionatit, si në gusht si në janar, jemi të kënaqur me pozicion dhe kurrë sesi të krahasohemi me vjet. Vjet ishim një skuadër që u ndërtuam dhe e mbaruam të gjithën ashtu siç ishim në fillim.

Presioni për titull është te ju apo te Partizani?

Unë mendoj se presioni sportiv i bën mirë të gjithëve. Nuk ka gjë më të mirë që në këtë fazë të jesh në këto pozita. Ja kam thënë dhe lojtarëve që është shumë e bukur dhe shumë atraktive të jesh në këtë pozicion, të luftosh për kampionat, por të jesh dhe në katërshe të Kupës së Republikës.

Duke qenë në këto pozita të jep motiv dhe shtysë për të bërë gjithmonë më të mirën. Presionin lum kush di ta menaxhojë sepse nuk ka garë që nuk ka presion te rezultatet

Ndikon fakti që luani në Elbasan?

Unë e kam thënë dhe herë të tjera, që në “Air Albania” është ajo ndjesia e të qenit në shtëpi, sepse “Selman Stërmasin” e kemi përjashtuar si mundësi për vetë kushtet që ka fusha. Po të luanim në “Air Albania” është ajo ndjesia që thashë të luash në shtëpi.

Po bëhet e dyta apo e treta ndeshje që luajmë në Elbasan dhe ndoshta ajo fusha e mirë na lejon që të shprehemi më mirë. por kjo i jep dhe pak shtysë kundërshtarit. Kur luajmë jashtë shtëpisë si ekipi pritës kundërshtari ka një ndjesi më pozitive. Unë mendoj se tabuja e fushës ka rënë në kampionatin tonë. shpresoj që nesër të na kthehen dhe tifozët e të jetë një atmosferë më e bukur se në ndeshjet e fundit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb