Për herë të parë në këtë sezon, Prestige MFC përfaqësohet me dy skuadra në kampionatin e futbollit “5×5” që organizon FSHF. Pas fitores me goleadë të skuadrës së parë, në debutim ka shkëlqyer edhe Prestige B, teksa mbrëmjen e së shtunës ka regjistruar një triumf në shifra tenistike ndaj ekipit Futura Dent.

Me të njëjtën filozofi loje si skuadra e parë, Prestige B dominoi totalisht ndaj kundërshtarit, duke e fituar takimin e parë të vlefshëm për Grupin 2 me rezultatin 6-1.

Prestige B e filloi ndeshjen me Kasën në portë, për të vijuar më pas me Hyskon, Xhaferin, Çakrrin, Kurpalin dhe Vashën. Që në fillim Prestige B e kërkoi golin me ngulm, ndërsa ishte Kurpali ai që e zhbllokoi rezultatin.

Më pas Çakrri i dyfishoi shifrat, teksa pjesa e parë u mbyll 2-0 për Prestige B. Në pjesën e dytë, Vasha me një dopietë e thelloi avantazhin në 4-0.

Dy golat e tjerë mbajnë firmën e Kurpalit, i cili kompletoi tripletën në aspektin personal, me Prestige B që e dërgoi epërsinë në 6-0. Në sekondat e fundit të takimit skuadra Futura Dent realizoi golin e nderit, ndërsa gjithçka u mbyll me triumfin e thellë 6-1.

Kështu, Prestige B ndjek gjurmët e skuadrës së parë, e cila gjithashtu e ka nisur mbarë kampionatin e minifutbollit, duke e fituar ndeshjen e saj të parë me rezultatin e thellë 11-1.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb