U prezantua sot prefekti i ri i Qarkut të Korçës Nertil Jole, i cili u emërua në këtë post nga kryeministri Edi Rama pak ditë më parë.

Zëvendësministrja e Brendshme Romina Kuko bëri sot prezantimin e tij përpara stafit të institucionit të prefekturës, drejtuesve të pushtetit lokal etj. Zonja Kuko uroi prefektin e ri duke u shprehur besimin e plotë të qeverisë për realizimin me sukses te detyrës së tij të re.

Duke shprehur falënderim dhe njëkohësisht mirënjohje për besimin e dhënë, prefekti i ri i qarkut të Korçës Nertil Jole premtoi angazhim maksimal dhe përgjegjshmëri në ushtrimin e detyrës së tij.

“Për mua pa diskutim kjo detyrë është nder, është privilegj, por është gjithashtu përgjegjësi e dyfishtë edhe për faktin që kthehem në vendlindje, në një zonë e komunitet ku kam lindur dhe jam rritur dhe kjo ma shton edhe më shumë përgjegjësinë.

Dua të shpreh angazhimin tim maksimal për të qenë i përgjegjshëm edhe gjithmonë rigoroz në zbatim të ligjit dhe çdo gjë që derivon në këtë kuptim në marrëdhënie edhe me qytetarët dhe banorët e qarkut Korçë.
Me një bashkërendim dhe një përpjekje të përbashkët për të ndërtuar bashkëpunim dhe marrëdhënie të frytshme me të gjithë aktorët përfshirë institucionet shtetërore, degët territoriale, drejtuesit e tyre, njësitë e qeverisjes vendore, kryebashkiakët, organizmat e huaja, shoqërinë civile, çdo banor të qytetit, dhe me mbështetjen e stafit të institucionit të prefekturës së qarkut Korçë, jam besimplotë se do ta kem më të lehtë këtë rrugëtim të ri për të përmbushur objektivat që na presin. Ju falenderoj shumë të gjithëve me përzemërsi dhe na priftë e mbara!”, tha Jole.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Nertil Jole ka lindur në qytetin e Korçës, ndërsa pas shkollimit në vendlindje ku kreu shkollën e mesme, studimet e larta i ka kryer në Universitetin Perëndimor të Anglisë në Bristol për Teknologji Arkitektonike dhe Projektim ndërsa në Shqipëri ka mbrojtur Master Shkencor për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Pas një përvoje të gjatë pune në disa institucione të larta të vendit, Nertil Jole do të jetë tashmë prefekti i qarkut të Korçës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb