Prishtina ka vazhduar formën e shkëlqyer në Albi Mall Superligën e Kosovës, duke regjistruar fitoren e katërt radhazi. Në stadiumin “Bajram Aliu”, në kuadër të xhiros së pestë, Prishtina triumfoi bindshëm ndaj Drenicës me rezultat 4:1. Bardhekaltrit e kryeqytetit e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në epërsi që në minutën e pestë.

Kastriot Selmani ishte ai që e zhbllokoi takimin. Drenica reagoi para përfundimit të pjesës së parë dhe në minutën e 40-të arriti ta barazojë rezultatin përmes Shkëlzen Lushtakut. Megjithatë, Prishtina e nisi pjesën e dytë furishëm. Në minutën e 51-të, Diar Halili shënoi për 2:1, ndërsa vetëm gjashtë minuta më vonë Assane Diatta realizoi nga penalltia për 3:1. Fitoren e Prishtinës e vulosi Ardian Hasani, i cili shënoi golin e katërt në minutën e 86-të. Me këtë fitore, Prishtina shkon në kuotën e 12 pikëve, duke pasur edhe një ndeshje më pak të zhvilluar, atë me Dritën. Për Drenicën kjo ishte humbja e dytë e sezonit, ndërsa skuadra kuqezi ka regjistruar edhe tri barazime dhe aktualisht numëron tri pikë. Ndërkohë, Llapi mori tre pikët e para në këtë edicion, pasi në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë triumfoi bindshëm ndaj Vushtrrisë, me rezultat 4:0. Skuadra llapjane e kontrolloi ndeshjen dhe krijoi epërsi të dyfishtë që në pjesën e parë. Arbnor Ramadani e zhbllokoi takimin në minutën e 17-të, ndërsa Fiton Ademi shënoi për 2:0 në minutën e 36-të. Llapi vazhdoi me ritëm të njëjtë edhe pas pushimit. Pas një ore lojë, Arianit Hasani realizoi për 3:0, ndërsa rezultatin përfundimtar e vendosi Mërgim Cërnavërni, i cili shënoi në minutën e 90-të.