Analisti Genc Burimi ka reaguar ndaj postimit të fundit të Kryeministrit Edi Rama lidhur me protestat masive kundër tij.
Përmes një statusi, Burimi i është drejtuar kreut të qeverisë duke i bërë të qartë se kauza fillestare tashmë është shndërruar në një revoltë të hapur për largimin e tij nga pushteti.
Sipas analistit, “lajkat” e fundit të Ramës ndaj ambientalistëve janë të neveritshme dhe tregojnë amnezi, pasi po ky kryeministër në fillim të qershorit tallej me gjuhë dhe gjeste përçmuese ndaj protestuesve.
Burimi ironizon me shëndetin e Ramës, duke u shprehur se kryeministri e imitonte aq shumë lëvizjen e flamingove sa e zuri edhe “tortikolija në qafë, ndërsa sot shfaqet si sharlatan duke thënë se i mirëkupton ata”.
Në mbyllje të reagimit të tij, Burimi thekson se nuk ka nevojë për shkollë arti apo arsim fillor për të parë fëmijët që marrin mikrofonin dhe për të kuptuar se sot protesta ka vetëm një qëllim. Ai i bën thirrje të prerë Ramës që, meqenëse e kuptoi mesazhin e vërtetë me tre javë vonesë, ta bëjë realitet dhe të largohet vetë.
Reagimi i plotë i Genc Burimit
Shumë e vërtetë Edi Rama, problemi nuk janë flamingot, problemi je ti!
Nuk është e nevojshme të kesh bërë Institutin e arteve si piktori, as shkollën e mesme, biles as shkollën fillore kur sheh ata fëmijë që marrin mikrofonin, për të kuptuar se flamingot qenë shkëndija fillestare, por sot protesta ka vetëm një kauzë, largimin e Edi Ramës.
I fortë ky sesi e kuptoi këtë të vërtetë kaq të thjeshtë në postimin e tij të fundit. Më mirë vonë se kurrë Kryeministër. “Problemi nuk janë flamingot. Qëllimi i tyre është i mirë”, shkruan në formë monologu Edi Rama duke bërë paragrafe me lajka të neveritshme për kauzat ambjentaliste. “Unë i kam dëgjuar flamingot dhe i kuptoj ata. E respektoj pa paragjykim shqetësimin e tyre, pikërisht sepse ka qenë gjithnjë edhe i imi”, guxon pa pikën e turpit dhe të memorjes të shkruajë ky që tallej me gjuhë e gjeste me flamingot e protestës kur kjo nisi në fillim të fillim të muajit. Aq shumë i imitonte flamingot me përçmim sa e zuri dhe tortikolija. I ndodhi Ramës egzakt ky përkufizim mjeksor : « Torticollis është një gjendje që karakterizohet nga një deformim cervikal ku koka pozicionohet në mënyrë anormale, e prirë në njërën anë në krahasim me vijën e mesme të trupit, shpesh me përkulje anësore dhe/ose rrotullim të qafës në drejtim të kundërt. Kjo mund të ketë origjinë kongjenitale, të jetë e fituar ose idiopatike ».
Dhe ja sot Kryeministri tregon se vuan nga simptoma të reja, amnezike. Edhe flamingot po shkrihen gazit kur degjojnë këtë sharlatan t’u thotë se i do ata që ngrihen për flamingot. Por për fat të keq, shton Rama, nuk janë flamingot që u interesojnë. Dhe këtu i themi bravo, më në fund e kape, ndonëse të dhemb zverku nga tortikolisi. Nëse e kuptove më në fund leksionin, ndonëse gati tre jave me vonesë, bëje realitet, ik vetë.
