Në Shqipëri, në 6 bashki të vendit, Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë, dhe Lushnje, po zhvillohen votimet për zgjedhjen e kryebashkiakut. Procesi është zhvilluar relativisht i qetë, me përjashtim të disa problematike të shkaktuara për shkak të motit, në disa qendra votimi në Shkodër ku komisionerët nuk kanë mundur të shkojnë, apo në Dibër ku për shkak të mungesës së energjisë, identifikimi i votuesve nisi të kryhej manualisht dhe jo përmes aij elektroik, i cili po zbatohet në të gjitha qendrat e votimit. Pretendime të tjera për parregullsi, kanë qenë të izoluara.

Në Vorë, po zbatohet ndërkohë dhe votimi elektronik që do të mundësojë dhe numërimin po përmes sistemit elektronik, duke bërë që rezultati të dalë pak pas mbylljes së procesit në orën 19.00. Në Vorë ka patur një problem me pjesmarrjen e përfaqësuesve të Partisë Demokratike në komisionet e Qendrave të votimit. PD pretendon se anëtarët e PS dhe LSI-së në Komisionin Zonal, KZAZ, kanë refuzuar të emërojnë përfaqësuesit e kësaj force politike. Sipas Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili ishte vetë në Vorë, KZAZ është shprehur se i ka dhënë zgjidhje problemit. PD megjithatë ka bërë kallzim penal, duke pretenduar se përfaqësuesit e forcave të tjera pjesmarëse në zgjedhje, po bashkëpunojnë kundër PD-së.

Janë pak më shumë se 650 mijë qytetarë me të drejtë vote në të 6 bashkitë ku po mbahen zgjedhjet. Por pjesmarrja duket e ulët. Deri në orën 13.00, sipas të dhënave nga KQZ, pjesmarrja në 563 nga 942 qendra votimi, ka qenë mesatarisht 18.02 përqind, me një tendencë në rritje pas mesditës. Pjesmarrja më e lartë, mbi 24 përqind, ka qenë në Lushnje dhe Dibër, pasuar nga Vora me 22.4 përqind. Ndërsa në Durrës është pjesmarrja më e ulët 14.7 përqind, kur në zgjedhjet politike të 25 prillit 2021, deri në orën 13.00 pjesmarrja ka qenë 27.1 përqind. Në Shkodër pjesmarrja llogaritet në 16.6 përqind, përkundër 26 përqind në 25 prill. Ndërkohë që në Rrogozhinë, pjesmarrja është gati 20 përqind.

Pjesmarrja e ulët ishte diçka e pritshme. Së pari, kryebashkiakët që do të zgjidhen nga votimi i sotëm do të kenë një mandat të ufizuar kohor, pasi pranverën e vitit të ardhshëm pritet të zhvillohen zgjedhjet e radhës së pushtetit vendor. Nga ana tjetër, interesin e bën më të ulët dhe fakti që në votim nuk përfshihen këshillat bashkiakë, të cilat janë funksionale, dhe kontrollohen nga socialistët, duke qenë se në 2019, opozita i bojkotoi zgjedhjet vendore.

Votimet e sotme kanë më shumë një interes politik, duke qenë se ato po shihen si një matës i rivalitetit brenda opozitës, mes Partisë Demokratike të kryetarit Luzim Basha dhe lëvizjes së ndërmarrë nga ish kryeministri Sali Berisha, për të patur drejtimin e së djathtës. Përfaqësuesit e zotit Berisha përfaqësohen nën emrin e koalicionit Shtëpia e Lirisë, që zyrtarisht mban siglat e LSI-së dhe Partisë Demokristiane./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: