*VIDEO- News 24 ndjek rrugëtimin nga vendi i vrasjes drejt Kapshticës

TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda nisi sot rreth orës 18:27 minuta një eksperiment hetimor për llogari të procesit gjyqësor në ngarkim të biznesmenit, Arben Frroku të akuzuar për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj, plot 2 vite e 1 ditë më vonë nga ngjarja.

Në përfundim të eksperimentit u bë me dije se mjetit iu deshën 2 orë e 46 minuta për të përshkuar distancën nga vendi i vrasjes deri në pikën kufitare të Kapshticës. Makina e eksperimientit mbërriti në pikën kufitare të Kapshticës në orën 21:13 minuta.

Sipas Prokurorisë mjeti që udhëtonte Frroku dy vite më parë, nisur edhe nga udhëtimi i realizuar sot, ka pasur kohë të kryejë vrasjen dhe të ikë. Por i mbetet gjykatës të vlerësojë nëse vlen kjo provë për të vërtetuar krimin e 24 shkurtit.

Ky eksperiment i kërkuar nga mbrojtja u bë për të vërtetuar nëse ndodhej në Elbasan, apo jo Arben Frroku në momentin e vrasjes së komisarit Lamaj, ashtu sic ai pretendon. Frroku këmbëngul se ka filmime që e shfaqin në një karburant në Elbasan në momentin e krimit. Përmes këtij eksperimenti kohor, Gjykata do të masë kohën që i nevojitet një automjeti për të përshkuar aksin Tiranë­-Kapshticë.

Mësohet se mjeti i eksperimentit që mbërriti në Kapshticë në orën 21:13 minuta drejtohej nga shoferi i Gjykatës së Krimeve të Rënda. Ndërkohë që ndiqej edhe nga 3 makina të tjera. Në njërin mjet udhëtoi gjyqtari i çështjes, Dritan Hamunaj dhe në një tjetër avokati Genci Gjokutaj. Ndërsa në një makinë të katërt shoqëruese udhëtuan prokurorët Niazi Seferi, Eneid Nakuci dhe nëpunësit e gjykatës që mbajnë shënim procesverbalin me oraret e lëvizjes.

Edhe pse më herët Prokuroria kishte kundërshtuar kryerjen e këtij eksperimenti, gazetarja Klodiana Lala mësoi se ata ishin të pranishëm në rrugëtimin drejt Kapshticës. Prokurorët Niazi Seferi dhe Eneid Nakuci ishin pjesë e këtij eksperimenti të ndjekur edhe nga News 24.

NEWS 24 VIDEO NGA RRUGËTIMI I MAKINËS SË EKSPERIMENTIT HETIMOR

Ora 20:22- Gazetari i News 24, Artan Hoxha ndjek të gjithë rrugëtimin që do bëjë makina deri në Kapshticë. Në këto momente mësohet se makina që do kryejë eksperimentin hetimor ndodhet në aksin Hotolisht-Prrenjas. News 24 ka siguruar edhe videon e rrugëtimit.

KUNDERSHTIMET
Më herët në seancë prokurorët kundërshtuan kryerjen e këtij eksperimenti, pasi sipas tyre nuk do të mundësonte afri të dinamikës së rrugëtimit me atë që ka ndodhur më 23 shkurt të vitit 2013, kur u vra kryekomisari Dritan Lamaj.

Sipas Prokurorisë, distanca nga rruga “Ibrahim Dervishi”, ku ka ndodhur ngjarja, deri në pikëkalimin kufitar të Kapshticës është 194 kilometra. “Kjo distancë e ndarë në tri orë, llogaritet një shpejtësi mesatare lëvizjeje me 64.6 kilometra në orë”, janë shprehur prokurorët. Ata kanë pohuar se nuk është përcaktuar saktësisht nëse udhëtimi i të pandehurit nga Tirana në Korçë është bërë me automjetin “Mercedez ML”. “Mund të ketë qenë një automjet i një lloji tjetër, më i shpejtë se ai”, kanë thënë prokurorët në seancë.

Sipas përfaqësuesve të akuzës, një shkak që diferencon situatat është fakti që segmentet rrugore kanë ndryshuar nga viti 2013 deri më tani. Prej tyre është përmendur ndërtimi i tunelit në aksin Tiranë­-Elbasan, çka ka shmangur kalimin e automjeteve në Qafë-­Krrabë, si edhe aksin Qafë-­Thanë-­Pogradec, ku janë kryer punime.

Po ashtu, prokurorët janë shprehur se ngjarja ka qenë ditë e diel, fakt që mendohet që rruga të ketë qenë më e lirë sesa në një ditë jave, si kjo e sotmja, e përcaktuar për kryerjen e eksperimentit.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb