Sot, më 15 prill 2024, Profesor Jup Kastrati u bë njëqind vjeç, ani se jo fizikisht. Na e kujtoi e bija, Diana, përmes një letre në “ExLibris” drejtuar Atij, një tekst që do të mbetet i rrallë në memuaristikën shqiptare, ndoshta dhe një model se si bijtë/ bijat duhet t’iu shkruajnë etërve. Kurrë më parë nuk kisha lexuar një poemë të tillë përshpirtnie në prozë, që e sillte si në një film më shumë se dokumentar jetën në shtëpinë e gjuhëtarit të madh dhe pedagogut të mirënjohur në Shkodër.

Në atë shtëpi – bibliotekë, që ishte e mbushur plot e përplot me libra deri në tavan, pata fatin të pritesha prej Profesorit dhe bashkëshortes së tij të fisme, edhe kur isha student i Tij në vitet ’80, edhe më vonë, kah fillimi i viteve Dy Mijë, me dy miq të mi krijues nga Mirdita, që mbetën tejet të kënaqur nga takimi me Profesorin. Ai e donte Mirditën, visarin e saj gjuhësor e kulturor, çmonte shumë Prend Doçin, për të cilin pati mbajtur një kumtesë aty nga mesi i viteve ’80, kurse nga të rinjtë Mark Tirtën, që dikur e kishte pasur student, e quante shkencëtar. Në nderim të Mirditës, ai doli e na priti te porta dhe kur u larguam na përcolli deri te “Piaca”. Ai burrë neve na bënte pritje “speciale”, në nderim të trevës nga vinim, ndërkohë që politikanët më të lartë të vendit, që e kishin vizituar në shtëpi, i kishte pritur lart në sallon pa i zbritur shkallët… Jo për gjë, por siç vetë ai thoshte, Partia e tij ishte Albanologjia!

Për albanologun e shquar Jup Kastrati mund të flitet e të shkruhet pafund, por ky shënim është veçse një përkujtim modest i një studenti ndaj kryepedagogut të tij të shqipes, bile pa iu drejtuar dhe aq ditarit të asaj kohe, ku Profesor Jupi përmendet për ndikimin do të thosha rrezatues në formimin tim, ku ka dhe detaje “personale” impresionuese, edhe pse ato lidhën me auditorin ku ai na mësonte sintaksën, historinë e gjuhës etj. Po them vetën një. Një ditë marsi 1982, gjithnjë sipas ditarit vetjak, Profesori shkroi në dërrasën e zezë fjalinë motivuese: “Nduen e kam mik, ai lexon shumë dhe shkruan artikuj të mirë në “Zëri i Rinisë” dhe kërkoi që klasa ta analizonte nga ana sintaksore. Njëri nga shokët e kursit, poet i njohur, mik imi i çmuar dhe njeri i batudës së mençur u bë “xheloz” dhe reagoi me humor, pse ky veçim për Ndoin? Profesori buzagaz aty për aty shkroi në dërrasë: “X e kam shok, ai shkruan poezi të bukura dhe i boton në “Drita”.

Situata të tilla nuk ishin të rastit, por që të na familjarizonin ne studentëve me lëndën e vështirë, që ai e jepte plot pasion. I ndrisnin sytë kur na shpjegonte fjalët në procesin e ligjërimit, ndërtimin e fjalisë së thjeshtë, fjalisë së përbërë etj. I qeshur, me humor të këndshëm, përherë metodik, pedagogu ynë diturak, na e fuste gramatikën në kokë si të ishte në pentagram. Mund të tregoj plot episode serioze nga puna që Profesori bënte me ne studentët sa i përket formimit pedagogjik, shkencor etj., por mendoj se figura të tilla akademike, më të vërtetë të epërme, është mirë që të njihen dhe nga marrëdhëniet njerëzore, shakatë që bënin etj. Mund të nxitoheshe ti, por nuk nxitohej kurrë ai, për të cilin etika dhe maturia ishin proverbiale. Kisha blerë një çifteli në pazarin artizanal të Shkodrës, nuk më kujtohet se kush ma kishte lënë porosi, kur rastësisht shihem me Profesor Jupin në rrugë. “Po kjo?” – më pyeti. “Do ta marr me vete në provimin e Sintaksës nesër”, i thashë në koenfidencë, pa u menduar gjatë. Profesori ma ktheu siç pritej, gjithnjë me humor: “Ruaje kur të kesh provim Folklorin me Selamiun (Tabaku)”. Mirëpo nuk “ndodhi” as kjo, pasi çiftelinë ma kërkoi një burrë kosovar, duke më thënë ti këtu je dhe e blen prapë, kurse unë s’dihet se kur mund të vij herë tjetër…

Nuk do të zgjatëm me mbresa kësisoj, pasi ato janë të shumta, aq më tepër që kisha pasur fatin të isha dhe “koleg” një a dy vite me Profesorin në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë, që ai drejtonte, ku zakonisht kishte dhe studentë anëtar të saj. Në mbledhje i dëgjonte me shumë vëmendje kolegët e tij, si dhe ne studentëve dhe në fund fjala e tij nuk diskutohej, jo vetëm se autoriteti i tij shkencor ishte absolut në Fakultet dhe krejt Institutin, por dhe se ai ishte tepër i kujdesshëm me secilin para se të vendoste. Ishte një aristokrat i mirëfilltë në qendrën universitare të Veriut, me pak të ngjashëm, si Wili Kamsi e ndonjë tjetër. Shkodra zyrtare dhe më tej ishte detyruar ta pranonte Jup Kastratin ashtu siç ai ishte, një sojnik i racës së vjetër të dijetarëve shkodranë, si me thënë një “borgjez” i domosdoshëm. Në një miting në Bahçallëk, më 1979, me rastin e zhdukjes së pasajave të tërmetit të atij viti, do ta mbulonte me lavdërime meritore vetë kreu i regjimit, çka nuk qe përmendur kurrë prej zotni Jupit, si të ishte folur jo për atë vetë, por për ndonjë tjetër.

Por gjithësesi Tirana ia tregonte ndonjëherë muskujt “provincës”, edhe kur ajo quhej Shkodër! Me këtë e lidh pak a shumë dhe një “incident” që ndodhi me Profesorin jo për fajin tim, po që unë isha sebepi. Me redaksinë e “Zërit të Rinisë”, me të cilën bashkëpunoja rregullisht, rashë dakord që Profesori Jupit t’i merrja një intervistë që do të botohej në rubrikën “Takim me shkencëtarët”. Dhe shkova vetë në Tiranë për këtë. Ata në fillim ishin krejtësisht dakord, por kur erdhi puna për ta botuar, thanë se ishte tepër e gjatë, jo në natyrën e gazetës, por të buletineve shkencore, a thua se këto nuk mund të rregulloheshin, bile me sa di me atë rast e mbyllën fare atë rubrikë, që ishte ndër më interesantet. Profesor Jupi, kur u kthye pas dy muajsh nga Kalabria e gjeti intervistën të pabotuar dhe sigurisht që nuk u ndje mirë, aq më tepër unë. Më vonë, redaksia kishte dashur të “rregullohej” me Profesorin, por ai nuk e kishte begenisur gazetaren që ata kishin dërguar për të bërë një shkrim kushtuar tij!…

Ai asnjëherë nuk fliste për studimet e veta tejet skrupuloze, po ne e dinim se ai ishte një dijetar i disa rrafsheve: gjuhësisë historike, letërsisë dhe bibliografisë. Kishte marrë vlerësimet më të larta nga Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Mahir Domi etj., që e cilësonin shkencëtar. E kishte për kënaqësi të na lajmëronte ne studentëve sa herë shkonte te Arbëreshët në Itali dhe e bënte shpesh. Atje ndihej si në shtëpinë e tij. Ndër të tjera, monografia “Jeronim De Rada” është fryt i atyre kërkimeve. Befasuese për mua ka qenë puna që ai kishte bërë për studimin e veprës së Faik Konicës, për gjysmë shekulli, në një kohë që ky autor ishte i ndaluar. Por nuk dua të futem në çka kam lexuar më pas për personalitetin e tij nga Adriatik Kalluli, Moikom Zeqo, Tefë Topalli etj., që më të drejtë e quajnë “institucion” më vete, më mirë të rri te kujtimet e mia modeste, por që për mua kanë shumë vlerë, pasi takimet me njerëz të tillë në jetë nuk janë të shpeshta.

Për herë të fundit Profesor Jupin e takova në Shkodër, në vitin Dy Mijë, në varrimin e Kol Shtjefnit, që ai e kishte mik të vjetër. Më tha se i ndiqte botimet e mia dhe se i vlerësonte. “Mbaj dhe shënime sipas rastit për to” shtoi dhe më pa në sy. S’kisha si të mos ndihesha mirë, edhe pse më dukej surprizë. Nuk ishte lehtë të hyje në vëmendjen e Jup Kastratit si njeri i shkrimit. Nuk e di, ndoshta me diçka të tillë lidhet një letër që Profesori më pati nisur pak kohë para se të shuhej, por që nuk arriti asnjëherë tek unë. Ia kishte dhënë një zonje shkodrane që do të vinte në Mirditë për punë dhe asaj se ku i kishte rënë. E kërkoi gjithandej, por nuk e gjeti. Gjëra që ndodhin.

Nisur nga ky detaj Profesorit i kam kushtuar një poezi me titullin “Amaneti”, që është botuar vite më parë:

“Një amanet shtegton drejt meje…
Nuk di cili është kumti, porosia e madhe!
Taraboshi orakulli ynë i viteve tetëdhjetë.
Një amanet i nisur për së gjalli
Shtegton dhe për së vdekuri!
E kurrë nuk mbërrin…”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb