Ka nisur tashmë zyrtarisht EU4Municipalities II, programi strategjik për forcimin e pushtetit vendor dhe mbështetjen e rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Një program ky do të mbështesë bashkitë me investime konkrete, rritje kapacitetesh dhe modernizim të shërbimeve për qytetarët
Gjatë fjalës së tij ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh se programi sjell përfitime në nivel vendor.
“Ky program sjell përfitime të prekshme në nivel vendor sepse politikat shndërrohen në përmirësime të vërteta. Nuk është sekret që 70% e direktivave, rregulloreve të BE do të vihen në zbatim në bashki. Prandaj janë kaq të rëndësishme bashkitë. Roli juaj dhe partneriteti ynë është shumë i rëndësishëm. Rrugëtimi europian i Shqipërisë duhet të përqafohet dhe përjetohet në çdo bashki të Shqipërisë. Programi synon që qeveria vendore të mos jetë thjesht vëzhgues në proces, por aktiv në të ardhmen europiane”, tha ambasadori i BE në Tiranë, Gonzato, duke shtuar: ““Ky program do të ofrojë rezultate në bazë të tre prioriteteve, e para shërbimet dhe infrastrukturë më e mirë për qytetarët. E dyta është zhvillimi ekonomik vendor, dhe i treti të ketë institucione më të forta dhe më transparente, sepse qeverisja e mirë nis me besimin”.
