Në mbledhjen e sotme në Komisionin për Politikën e Jashtme, u diskutua për projektin e OSHEE-së për reagimin e krizës ndaj pandemisë COVID-19.

Menaxheri i OSHEE, Ardian Çela u shpreh se rrjeti energjetik është prekur nga efektet negative që shkaktoi periudha e pandemisë.

Gjithashtu Çela foli edhe për problemet që kanë prekur rrjetin e ujësjellësit, duke u shprehur se në këtë sektor nuk janë arritur që të mblidhen borxhet.

Nga ana e tij deputeti Çollaku u shpreh se taksat dhe çmimet kanë vazhduar të rriten ndërsa qytetarëve nuk u është ofruar cilësia.

Koment ky i cili u kundërshtua nga  kryetarja e Komisionit Mimi Kodheli, ndërsa u përgjigj se çmimet për energjinë nuk janë rritur.

“OSHEE nuk mund të ishte e izoluar nga efektet që solli Covid-19. Për shkak të situatës, viti 2020 kishte  93,4% nivelin e arkëtimeve, pra ka pasur një rënie. Gjithashtu për herë të parë nuk u realizua niveli i humbjeve pasi e mbyllëm me 24%. Po ashtu mosrealizimi i investimeve ishte një tjetër problem sepse kontraktorët i anuluan këto investime”, tha Ardian Çela.

Dule: Ky projekt është depozituar në 11 mars 2021, dhe ngre pyetjen nëse është thjesht burokraci apo ka një arsye tjetër vonesa prej shtatë muajsh?

“Kjo është kohë e mjaftueshme për negocimin. E gjithë negociata është mbyllur në korrik, më pas na ka kapur periudha e mbylljes së parlamentit. Ne nuk kemi kaluar çështje të reja. Kjo i referohet të gjithë situatës gjatë pandemisë, por vjen edhe si pasojë e rëndimit të situatës për shkak të krizës botërore”.

Këlliçi: Në çfarë shumë janë detyrimet e prapambetura dhe të bëjmë një përllogaritje përse kërkohet sot të merren 70 milion euro?

Çela: Borxhi është 36.6 miliardë lekë. Dua të theksoj se 90-95% janë kompani të ujësjellësve.

Këlliçi: Përse jemi në këto nivele?

Çela: Për kompanitë e ujësjellësit janë marrë disa veprime duke bllokuar edhe llogari bankare. Por nëse ka një nga pikat që nuk kemi realizuar është që tek ujësjellësit nuk kemi arritur të mbledhim borxhet. E pranoj që kemi dështuar, shpresoj që me reformën e re që qeveria ka nisur të ketë një ndryshim.

Grida Duma: Si i përgjigjet qeveria mungesës së reformave strukturore në sektorin energjetik

Koçi: Ne duhet të përqendrohemi më shumë tek arritja e marrëveshjeve, sigurisht do të trajtojmë edhe shqetësime të aspekteve të tjera, po besoj që përgjithësisht diskutimet të përqendrohen tek çështja sotme.

Kreshnik Çollaku: Si ka mundësi që kreditë shtohen, taksat shtohen, por cilësia bie dhe çmimi rritet?

Kodheli: Çmimi nuk është rritur. Kemi të gjithë dritë në shtëpi.

Çela: Sektori energjetik shqiptar kërkon rreth 1,6 miliard euro investime, një studim ky i bërë në vitin 2004. Ndërkohë 450 milionë euro janë investuar në këto shtatë vite dhe të gjithë jemi dëshmitar të përmirësimeve edhe pse ka akoma shumë vend për punë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb