Në Komisionin e Ligjeve është diskutuar për projektligjin e noterëve.

Këtë projektligj e ka prezantuar ministri i Drejtësisë, Ulsi manja. Në fjalën e tij, Manja tregoi se ky projektligj garanton që në sistem të futen persona me integritet.

Pra sipas tij, nëse një person do të bëhet noter, duhet të kalojë paraprakisht disa filtra. Nga ana tjetër, sekretari i Përgjithshëm i PD, argumentoi se përse sipas tij ky proces nuk është i besueshëm dhe efikas.

DEBATET NË KOMISIONIN E LIGJEVE

Ulsi Manja: Projektligji parashikon ndërhyrjen me masa të shpejta rregullatore për të parandaluar depërtimin e elementëve në konflikt me ligjin në profesionin e noterit si dhe për të adresuar rastet kur pas licencimit të tyre noterët që cënojnë integritetin dhe besueshmërinë.
Për të arritur këto qëllime janë rregulluar 4 çështje kryesore që lidhen me Integrimit dhe besueshmërinë profesionale, me shkeljet disiplinore jashtë ushtrimit të profesionit, me përfshirjen në listën e personave të shpallur sipas legjislacionit për masat kundër financimit terrorizimit dhe e katërta lidhur me kërkesën e autoritetet përgjegjës për revokimin e licensës së noterit në përputhje me legjislacionin në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Lidhur me integritetin dhe besueshmërinë, ky koncept i parashikuar në këto ndryshime siguron që të përjashtohet mundësia që të futen në profesionin e noterit ata persona me kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar apo ata me vepra penale.
Ligji i noterisë pavarësisht se është një ligj i ri, nuk parashikonte asnjë instrument që të pengonte bashkëpunëtorët e kriminelëve në profesionin e noterit.
Këto ndryshime vlejnë për kandidatët për noter që do të pranohen në shërbimin noterial sipas ligjit të 2018.
Sot pranimi në shërbimin noterial kalon në disa faza. Kandidatët vlerësohen nga kriteret dhe kushtet për të qenë pjesë e këtij shërbimi, më pas i nënshtrohen provimit të kualifikimit, ata që kualifikohen do ti nënshtrohen filtrit të besueshmërisë dhe integritetit. Pastaj vazhdojnë shkollën 1-vjecare për noter.
Me përfundimin e praktikës së trajtimit fillestar, i nënshtrohen një praktike dy vjeçare pranë një noteri, më pas i nënshtrohen provimit për noter. Para se ti nënshtrohen provimit për noter, i nënshtrohen edhe një filtri të besueshmërisë.
Lidhur me noterët e sistemit ekzistues, ndryshimet parashikojnë kontroll periodik cdo një vit.

Gazment Bardhi: Sa i besueshëm do të jetë procesi dhe konkluzioni i një funksionari të nivelit të lartë i cili mund të jetë siç të dhënat në këto 8 vite kanë treguar, i lidhur me krimin e organizuar, për të përcaktuar nëse një specialist në ministri, ta caktojë që ky nuk është i denjë për të ofruar një shërbim publik sepse ka kontakt me krimin e organizuar. Pra ministri ndan tenderat me krimin e organizuar, nga ana tjetër një funksionari ti thotë se ti nuk je i denjë. Mua ligji nuk ma ndalon ndërsa ty ta ndalon. Kjo e bën procesin jo efikas.

Ulsi Manja: Lidhur me integritetin tim si deputet dhe si ministër, sigurisht që kam folur tre mandate radhazi zgjedhësit, në atë zonë që unë kam patur fatin të përfaqësoj PS. Qasja ime dhe raporti im me drejtësinë është i ditur botërisht. Unë ngelem i qartë që ai ligj të zbatohet pikë për pikë. E treta zoti Bardhi, në të gjitha betejat elektorale ku kam marrë pjesë, kontaktet e mia kanë qenë me qytetarë dhe zyrtarë të këtij shteti. Nëse dikush nga ju ka prova apo indicie se unë jam në konflikt me ligjin mund ti paraqisni në organet e drejtësisë. Në xhaketën time dhe në duart e mia as ka patur dhe nuk do ketë gjak qytetari të pafajshëm. Uroj që sa të jem në politikë të mos kem përgjegjësinë e fajit për jetë njerëzish të humbura padrejtësisht për hir të karriges.

Gazment Bardhi: Shumë mirë që ka vetëvlerësim është në të drejtën e vet, por nuk bëhet fjalë për individin, por për standardin. Pyetja kishte të bënte, si mundet që një funksionar publik që nuk e ka kaluar vetë atë standard, ta aplikojë për funksionarët poshtë tij? Kjo ishte pyetja dhe nuk jemi për ty, por për zbatimin e ligjit. Unë fola për një ministër të lidhur me krimin e organizuar dhe për shkak të ndërhyrjes së ministrit noteri e kalon këtë proces.
Nëse një kandidat për noter ka kontakt me Ymer Lalën, ti e kalon apo nuk e kalon, sepse ti ke kontakt vetë me këtë. Na ndërhyn Ymer Lala dhe thotë kalojë se ky është miku im. Ministri e ktheu në çështje personale, unë po pyes për çështjen e standardit. Nuk bëhet e fortë Shqipëria me kandidatët për noterë.

Ulsi Manja: Unë e kuptoj që në fund të fundit deputeti, zoti Bardhi është në të drejtën e tij sepse opozitë për këtë është në komision. Por opozita bëhet me fakte dhe prova dhe jo me gjykime. Unë thashë se nuk jam unë si ministër garantisti i këtij procesi, garant është ligji. Janë të gjitha mekanizmat qoftë për heqjen e licencës së noterit qoftë për pezullim, e ka ligji këtë. Unë nisem nga qëllime të mira.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb