Shpëtim Duro është shumë pranë kthimit te skuadra e Laçit për të drejtuar kurbinasit në pjesën e mbetur të sezonit. Tekniku ka pranuar në “Sport News” në “News 24” se mund të ketë shpejt diçka të re në këtë drejtim, për t’u ulur përsëri në stolin e kurbinasve.

“Ky është profesioni i trajnerit. Më vjen keq se Mirelin e kam mik, po e njëjta situatë ka ndodhur para 7 muajsh kur ekipi ishte në nivele të larta historike. Këto janë gjëra që nuk na takojnë ne e janë probleme të klubit me trajnerët.

Të them të drejtën, për arsye të ndryshme pas Europës, prisha bashkëpunimin me mirëkuptim me presidentin e Laçit. Por Laçi i sezonit të kaluar ishte skuadër që luftoi për titull deri në momentet e fundit dhe beri histori në Kupat e Europës, ishte skuadër që pati largime dhe në verë isha unë protagonisti i ndërtimit me shumë futbollistë të rinj.

 

 

Në dy muaj në verë kemi bërë një punë të jashtëzakonshme. Nuk i dihet, ky është profesioni, ndoshta mund të ketë një bisedë. Por më duket se është si rikthim se janë po ato lojtarë e skuadër, megjithëse janë në një moment jo të mirë. Ky është profesioni i trajnerit.

Pozitat janë të mira duke pasur parasysh skuadrën. Por ndeshjet e shumta pa fitore kanë krijuar një problem psikologjik. Ndoshta kjo ka shtyrë drejtuesit të marrin një vendim të tillë. Pastaj është problem tjetër, shkon për mirë apo për keq, futbolli është i paparashikueshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb