TIRANE – “Në 20 vite punë në Prokurori, përveç pagës sime nuk kam marrë asnjë lloj përfitimi tjetër. Kurrë”. Prokurori Petrit Vukaj, i arrestuar të premten për akuzën e “korrupsionit”, e ka nisur në këtë formë deklarimin e tij në Gjykatës për Krimet e Rënda.

Mesditën e djeshme ai u paraqit në gjykatë për verifikimin e masës së sigurisë “arrest në burg” marrë në mungesë ndaj tij. Para gjyqtarit Bib Ndreca, prokurori i dyshuar ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës. Ai ka kërkuar lirim nga qelia, qëndrim që është përforcuar më tej nga avokati i tij. Mbrojtësi Ibraj ka kërkuar caktimin e masës “detyrim paraqitje”, me pretendimin se nuk kishte prova fajësie ndaj klientit të tij. Pretendimet e të dyshuarit nuk e kanë bindur gjykatën.

Pasi është njohur edhe me kërkesën e Prokurorisë për lënien në qeli të prokurorit Vukaj, gjykata ka vendosur të mos ndryshojë masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij. Seanca gjyqë¬sore ndaj tij u zhvillua me dyer të mbyllura. U bë e ditur se, pas seancës, prokurori Vukaj është dërguar në ambientet e Spitalit të Burgjeve, për shkak të problemeve shëndetësore.

DESHMIA NE GJYQ
I mësuar për vite me radhë të ulej në tavolinën e prokurorit në një sallë gjyqi, dje Petrit Vukaj ka qenë përballë saj, në kafazin e hekurt. Gjatë seancës ai ka përjashtuar vetën nga çdo aferë korruptive. “Kam 20 vjet punë në Prokurori dhe përveç pagës sime, kurrë, në asnjë rrethanë, nuk kam marrë asnjë lloj përfitimi tjetër. Asnjë qindarkë. Është lehtë¬ sisht e verifikueshme. Kush pretendon të kundërtën, jam i gatshëm të ballafaqohem në çdo kohë me të”, mësohet të jetës shprehur Vukaj. Ai ka shpjeguar dhe kërkesën e tij në Gjykatën e Fierit, për pezullim të dënimit me burg të Elton Xhemalit. Sipas tij, familjet e të dëmtuarit dhe të akuzuarit ishin pajtuar me njëra-¬tjetrën.

“Vetëm kur janë normalizuar marrëdhëniet mes familjeve të të dëmtuarit dhe të akuzuarit, kjo me akt të shkruar dhe me deklarim para oficerit të Policisë Gjyqësore, vetëm atëherë ne kemi rëndë dakord, si organ akuze, që të kërkojmë dënim e tij me burg dhe më pas, zëvendësimin e tij me një dënim në shërbim të provës”, ka pretenduar Vukaj. Ai ka këmbëngulur se nuk ka bërë asnjë favorizim. “Jo vetëm që nuk kam favorizuar, por unë kam qenë prokurori që kam kërkuar masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për të. Nëse unë do të isha i përfshirë në krijimin e lehtësirave procedurale, nuk do të kisha kërkuar ‘arrest në burg’, po kisha gjithë hapësirën e mundshme për të kërkuar masa më të buta”, është shprehur Vukaj.

PERGJIMET
Përfaqësuesja e Prokurorisë ka prezantuar para gjykatës një sërë provash shkresore, raporte vëzhgimi dhe përgjimi, për të provuar dyshimet e ngritura ndaj Vukajt. Në një prej këtyre vëzhgimeve ambientale, prokurori Petrit Vukaj është ulur në një tryezë me vëllain e të pandehurit Elton dhe mikun e tij, konkretisht me shtetasit Arjan Xhemali dhe Gazmir Nelollari. Rezulton se ai ka shkëmbyer numrat e telefonit me Gazmir Nelollarin dhe krijon kontakte telefonike dhe takime të drejtpërdrejta fizike me të. Sipas Prokurorisë, Gazmir Nelollari i kërkon para Arjan Xhemalit me qëllim për t’ua dhënë funksionarëve të drejtësisë, duke përcaktuar edhe shumën konkrete që duhet.

Nga hetimi i mëpasshëm ka rezultuar se vëllezërit Xhemali e fizikisht Arjani ka mbledhur paratë te familjarët dhe ia ka dorëzuar Gazmirit. Ky i fundit ka konfirmuar tek Arjani dhe tek Eltoni se paratë janë dhënë te funksionarët e drejtësisë, e konkretisht se i janë dhënë prokurorit. Sipas Prokurorisë, Gazmiri pas kontakteve me prokurorin ka siguruar tek Eltoni e Arjani se puna është kryer me sukses.(panorama)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: