Nga: KLODIANA LALA*
TIRANE – Florenc Hoxha, ish-kreu i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor dhe 28 vartës të tij do të përballen në 2016 me drejtësinë, pasi akuzohen se lejuan një bum ndërtimesh pa leje në kryeqytet.

Prokuroria e Tiranës pas më shumë se një viti hetime mori të pandehur ish-zyrtarin Hoxha dhe inspektorët për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Në dosjen e prokurorisë thuhet se këto abuzime kanë ndodhur gjatë periudhës korrik 2012-dhjetor 2013. Inspektorët – theksohet në dosje – kanë lejuar që të ngrihen afërsisht 500 ndërtime pa leje, në një kohë Florenc Hoxha akuzohet se ka shpërdoruar detyrën, pasi në cilësinë e kryeinspektorit nuk ka marrë masat e duhura për prishjen e ndërtimeve pa leje, në momentin që e ka konstatuar një gjë të tillë.

Një fakt tjetër që përmendet në dosjen e prokurorisë është se në momentin e konstatimit, inspektorët tashmë nën akuzë, kanë vendosur masë administrative për subjektet apo individët që po kryenin ndërtimet pa leje dhe kanë urdhëruar ndërprerjen e tyre. Por ndërtimet më pas janë përfunduar, çka sipas prokurorisë ngarkon me përgjegjësi të pandehurit.

Hetimet ndaj Hoxhës
Florenc Hoxha u vu në pranga dy vite më parë pasi me kërkesë të prokurorisë, gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”. Në të njëjtën ditë, gjykata kishte firmosur masë sigurie “arrest me burg” edhe për Zyhdi Dajtin, kreun e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, po për shpërdorim detyre. Qëndrimi në qeli i tyre zgjati vetëm pak orë, pasi Gjykata e Tiranës urdhëroi lirimin e Dajtit, për arsye shëndetësore, ndërsa Florenc Hoxha u dërgua në arrest shtëpie.

Më pas, Apeli e ndryshoi sërish masën dhe la të lirë Hoxhën. Si Hoxha, ashtu edhe Dajti dyshoheshin për shpërdorim detyre, lidhur me ndërtimet pa leje. Florenc Hoxha, dyshohej se nuk kishte reaguar për të mos lejuar ndërtime të reja pa leje në Tiranë, ndërsa Zyhdi Dajti kishte penguar punimet për Bulevardin e ri të Tiranës si dhe për një tjetër ndërtim në Rrugën e Elbasanit në Tiranë, në një kohë që kompania kishte leje të rregullt ndërtimi.

Po ndërsa ish-zyrtari i Bashkisë së Tiranës do të vazhdojë të përballet me gjykatat, ish-kreu i INUK, Zyhdi Dajti është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Tiranës për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe pret verdiktin e Apelit.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: