Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e gjithanshme e qeverisë Rama, Belinda Balluku përpiqet ta justifikonte ndërhyrjen barbare e selektive të fadromave të IKMT-së dhe tritolin në Prestige Resort, me vendosjen e ligjit. Me zërin që i dridhej, Belinda Balluku tentoi ta konsideronte një prej resorteve model në Shqipëri, si ndërtim të paligjshëm, që qeveria u kujtua ta shembte pasi e kishte vlerësuar vetë publikisht si perlën e Adriatikut.

Po çfarë ka ndodhur me Prestige Resort? Pse shkatërrimi i tij në faza ishte një strategji e mirëmenduar e Ballukut dhe Ramës për të shantazhuar pronarin e mediave News24, Balkanweb e Panorama?

Fillimisht IKMT dhe policia e shtetit prishën murin rrethues me leje të resortit, i cili ekzistonte vite më parë, që kur resorti nuk ishte në pronësi të Hysenbelliu Group. Pas këtij veprimi paralajmërues, fadromat e IKMT dhe policia mësynë në fund të gushtit duke shkatërruar pishinat në mes të sezonit turistik dhe në prani të turistëve të tmerruar.

Pyetja që lind natyrshëm në këto kushte, është: përse qeveria nuk priti të mbaronte sezoni turistik që të bënte këtë ndërhyrje, nëse resorti sipas saj, kishte vite që funksiononte pa leje?

Por edhe pas kësaj ndërhyrjeje brutale me fadroma dhe polici në mes të pushuesve vendas e të huaj, vija editoriale e mediave News24, Balkanweb dhe Panorama nuk ndryshoi.

Në këto kushte qeveria përshkallëzoi sulmin ndaj Prestige Resort dhe pas 3 muajsh vendosi ta shembë me tritol hotelin Prestige, një investim prej 30 milionë eurosh i “Hysenbelliu Group”.

Kjo kompani zgjodhi të investonte në turizëm në këtë zonë të Adriatikut dhe jo të ndërtonte vila e pallate në bregdet, siç kanë bërë qindra ndërtues të tjerë që kanë betonizuar bregdetin.

Por ky lloj investitori shpërblehet nga qeveria me fadroma e tritol.

E megjithatë qeveria nuk u mjaftua me aktin terrorist të vendosjes së tritolit në një hotel turistik. Sepse vija editoriale e mediave tona përsëri nuk ndryshoi dhe 3 muaj më vonë, një hotel dhe akuaparku i fëmijëve (i vetmi në bregdetin e Adriatikut) u konfiskuan në mënyrë demonstrative me polici dhe banditë të veshur me kapuçë që hapnin në mënyrë klandestinë bravat e dyerve.

Në të gjithë këtë ndërhyrje brutale me fadroma, tritol e kapuçonë të zinj konstatohet paligjshmëria, tendenca dhe selektiviteti.

Pse fillimisht ndërhyhet te pishina dhe pista? Pse një pjesë konfiskohet dhe një tjetër shembet me tritol? Pse aksionet ndodhin në intervale të llogaritura kohore? Pse ministrat e qeverisë Rama e konsideronin Prestige një nga perlat e Adriatikut nëse ai nuk ishte me leje?

Po kryeministri Rama kur priti afganët në këtë resort dhe mori çmim në SHBA, e dinte se ky resort ishte pa leje?

Po kur hoteli mikpriti qindra qytetarë të mbetur pa strehë nga tërmeti i vitit 2019, e dinte qeveria që ai ishte pa leje?

Natyrisht që s’mund ta dinte, sepse qeveria i ka dhënë vete lejet. Leja e dhënë nga Këshilli Kombëtar i Territorit është firmosur nga vetë kryeministri Edi Rama dhe një vit më vonë ish drejtoresha e IKMT Dallëndyshe Bici konfirmonte se ky ndërtim në bregun e Adriatikut ishte me leje.

Resorti Prestige kishte punësuar 200 punonjës me paga të deklaruara dhe sigurime shoqërore, paguante taksat në bashki, tatim-fitimin dhe çdo detyrim tjetër ndaj shtetit. E dinte qeveria këtë?

Gjithçka ka mbetur nga dhuna mbi resort është shkatërrimi I tij dhe mjedisit përreth dhe fakti që 200 punonjës të mbetur pa punë kanë braktisur Shqipërinë duke emigruar për të mbajtur me bukë familjet e tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: