Nga: Ornela Manjani*

TIRANE- Qeveria depoziton në Bankën e Shqipërisë një fond prej 5 miliardë lekësh që do të shkojë për kompensimin e pronarëve. Fondi është mbartur nga viti 2015. “Fondi i shpronësimeve deri në 5 miliardë lekë, transferohet nga Ministria e Financave në llogarinë e shpronësimeve në Bankën e Shqipërisë dhe përdoret me Vendime të Këshillit të Ministrave, për shpronësime në proces apo shpronësime të reja”,-thuhet në aktin normativ të ndryshimeve buxhetore për vitin 2015. Për vitin 2016 fondi është 3 miliardë lekë. Sipas ligjit të ri për pronat fondi i kompensimit të pronave arrin në vlerën 135 miliardë lekë, 50 miliardë lekë është vlera e kompensimit në të holla dhe rreth 85 miliardë lekë është vlera e kompensimit fizik. Në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave janë 26 mijë dosje pronarësh që pretendojnë tu kthehet një sipërfaqe totale prej 75 mijë hektarë tokë. Ligji i miratuar në Kuvend dhe i kthyer pak ditë më parë nga presidenti parashikon që subjektet e shpronësuara u nënshtrohen procedurave të kompensimit, sipas përcaktimeve të këtij ligji, bazuar në vendimet përfundimtare për njohje dhe kompensim: a) me të holla; b) me pronë tjetër të paluajtshme të çdo lloji, me vlerë të barabartë, në pronësi të shtetit; ç) me aksione në shoqëri me kapital shtetëror ose ku shteti është bashkëpronar, që kanë vlerë të barabartë me pronën e paluajtshme; ç) me vlerën e objekteve, të çilat janë objekt i privatizimit. Procesit të vlerësimit të pronës që do të kompensohet, sipas këtij neni, i nënshtrohen: a) toka; b) objektet ndërtimore. Treguesit bazë të vlerës së pronës caktohen të veçantë për tokën dhe objektet ndërtimore. Kur një pronë është bashkim i tokës me objektin ndërtimor, vlera e saj nxirret për njësi, si shumë e vlerave të objektit ndërtimor dhe të tokës mbi të cilën ai ngrihet. Sipas ligjit vlera e pronës që kompensohet, nxirret sipas përcaktimeve të këtij ligji duke u bazuar: a) për tokën, në hartën e vlerës; b) për objektet, në vendimin e Këshillit të Ministrave për metodologjinë e vlerësimit të pronave të paluajtshme në Republikën e Shqipërisë.
Fondi i tokës
Fondi i tokës përbëhet nga: a) fondi fizik i pronave, i vënë në dispozicion me vendim të Këshillit të Ministrave; b) fondi fizik i pronave, i çili me vendim të ATP-së, sipas pikës 5, të nenit 6, të këtij ligji, bëhet pjesë e fondit të tokës bazuar në rregullat e përcaktuara në këtë ligj; ç) sipërfaqet e mbetura të lira në territoret me ndërtime informale. Fondi i tokës vlerësohet financiarisht nga ATP-ja, sot AKKP-ja, bazuar në hartën e vlerës, të përcaktuar në pikën 15, të nenit 5, të këtij ligji. ATP-ja kryen vlerësimin financiar brenda 30 (tridhjetë) ditësh për fondin që vihet në dispozicion me vendim të Këshillit të Ministrave dhe menjëherë për fondin që kalon me vendim të ATP-së. Të dhënat për këtë fond publikohen në mjediset e ATP-së dhe në faqen zyrtare menjëherë mbas kryerjes së procedurës së vlerësimit.
Rastet e kompensimit fizik
Në rast se pas ankandit publik, sipas përcaktimeve në nenin 13, të këtij ligji, prona nuk shitet, atëherë ajo përdoret për kompensimin fizik të subjekteve që disponojnë një vendim përfundimtar kompensimi. ATP-ja publikon në faqen e saj zyrtare dhe në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare, për një periudhë 45-ditore, informacionin për pronën që do të përdoret për kompensim fizik dhe gjatë kësaj periudhe pret kërkesa nga subjektet që disponojnë vendim përfundimtar kompensimi. Në përfundim të afatit 45-ditor, ATP-ja, brenda 30 (tridhjetë) ditëve, shpall subjektin përfitues që ka aplikuar, sipas ofertës më të lartë ose, në raste kur ka oferta të barabarta, sipas prioritetit të përcaktuar në pikën 3, të nenit 15, të këtij ligji, dhe vijon procedurat për kompensimin fizik të subjektit përfitues.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: