Nga: ORNELA MANJANI
TIRANE – Qeveria i kthehet ligjit 7501. Të gjithë titujt e pronësisë që janë përftuar në zbatim të ligjit për ndarjen e tokës bujqësore do të verifikohen jo vetëm për ligjshmërinë e lëshimit të tyre, por edhe me ballafaqimin e sipërfaqeve në terren me ato të regjistruara në dokumentet. Në ligjin 7501 përcaktohet që toka bujqësore të ndahet për frymë për banorët që janë regjistruar në fshat në momentin e ndarjes së tokës, në korrik të vitit 1991. Të dhënat e sakta do të hidhen në regjistrin e Zyrave të Regjistrimit të Pasurive. Në ZRRP do të regjistrohen të gjitha vendimet e gjykatave që kanë marrë formë të prerë. Në përfundim të këtij procesi të gjitha sipërfaqet që do të rezultojnë të lira, do të kalojnë në fondin e Agjencisë së Trajtimit të Pronave. Vendimi është marrë dje në Këshillin e Ministrave.

Vendimi
Qeveria miratoi dje disa ndryshime në vendimin nr.1269, datë 17.9.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, mënyrën e funksionimit dhe detyrat e përgjegjësitë e strukturave shtetërore, të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar. Në vendim përcaktohet që të kryet vlerësimi ligjor i krijimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi, të plotësuara nga kryetarët e bashkive, për familjet bujqësore ose individët, në rastet e kërkesave të paraqitura nga qytetarët apo institucionet shtetërore, në territoret e: a) ish-kooperativave bujqësore, në zbatim të pikës 1/1, të nenit 17, të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar; (Procedura e ndarjes së tokës bujqësore në pronësi, sipas dispozitave të ligjit nr.7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, të ndryshuar, rindarja e tokës sipas nenit 5 të ligjit nr.8312, datë 26.3.1998 “Për tokat bujqësore të pandara”, si dhe krijimi i titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore përfundojnë në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji) b) ish-ndërmarrjeve bujqësore, në zbatim të ligjit nr.57/2012, “Për përfundimin e procesit të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore” dhe të ligjit nr.171/2014, “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar.

Komisionet
Qeveria urdhëron Komisionin Vendor të vlerësojë aktet e marrjes së tokës në pronësi, të plotësuara nga kryetarët e bashkive, për bazueshmërinë ligjore të tyre dhe merr vendim për rikonfirmimin e tyre, në rastet kur: a) vërtetohet se familja bujqësore ose individi, në emër të të cilit lëshohet akti i marrjes së tokës në pronësi, është subjekt i përfitimit të tokës bujqësore në pronësi, sipas ligjeve të sipërpërmendur; b) verifikohet se sipërfaqja për të cilën është lëshuar akti i marrjes së tokës në pronësi është objekt i trajtimit sipas ligjeve të sipërpërmendura dhe madhësia e saj është në përputhje me përcaktimet ligjore; c) janë krijuar në përputhje me procedurat dhe afatet e përcaktuara në ligjet e sipërpërmendur”.

Regjistrimi
Komisioni Vendor i Vlerësimit të Titujve të Pronësisë dërgon për regjistrim në ZVRPP vendimin gjyqësor përfundimtar për sipërfaqet e tokës të liruara nga fitimi, mbajtja dhe përdorimi i paligjshëm i tyre, që kalojnë në pronësi të shtetit, pas procedurave të realizuara sipas përcaktimeve të neneve 9 e 10, të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar. Pjesë e detyrueshme e këtij vendimi është planvendosja e ngastrës/ave.

Fondi për ATP
Në vendimin e qeverisë është përcaktuar që Komisionet Vendore kanë detyrimin që, brenda dy muajve nga data e hyrjes në fuqi e këtij vendimi, të paraqesin në Agjencinë e Trajtimit të Pronës të gjitha vendimet gjyqësore përfundimtare, të marra para kësaj date, të shoqëruara me planvendosjet e ngastrës/ave dhe procesverbalin/et përkatës”.

NDRYSHIMET NË VENDIM

Ishte
Pika 2, e shkronjës “B”, të kreut III
b) Verifikohet se sipërfaqja, për të cilën më 1.8.1991 është lëshuar akti i marrjes së tokës në pronësi, figuron në regjistrat e kadastrave vetëm me cilësinë e zërit “tokë bujqësore” (bimë arash, pemëtore, vreshtë, ullishte).

Bëhet
Pika 2, e shkronjës “B”, të kreut III, ndryshon, me këtë përmbajtje:
“2. Kryen vlerësimin ligjor të krijimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi, të plotësuara nga kryetarët e bashkive, për familjet bujqësore ose individët, në rastet e kërkesave të paraqitura nga qytetarët apo institucionet shtetërore, në territoret e:
a) ish-kooperativave bujqësore, në zbatim të pikës 1/1, të nenit 17, të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar; (Procedura e ndarjes së tokës bujqësore në pronësi, sipas dispozitave të ligjit nr.7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, të ndryshuar, rindarja e tokës sipas nenit 5 të ligjit nr.8312, datë 26.3.1998 “Për tokat bujqësore të pandara”, si dhe krijimi i titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore përfundojnë në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji)
b) ish-ndërmarrjeve bujqësore, në zbatim të ligjit nr.57/2012, “Për përfundimin e procesit të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore”, dhe të ligjit nr.171/2014, “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar.

Komisioni vendor vlerëson aktet e marrjes së tokës në pronësi, të plotësuara nga kryetarët e bashkive, për bazueshmërinë ligjore të tyre dhe merr vendim për rikonfirmimin e tyre, në rastet kur:
a) vërtetohet se familja bujqësore ose individi, në emër të të cilit lëshohet akti i marrjes së tokës në pronësi, është subjekt i përfitimit të tokës bujqësore në pronësi, sipas ligjeve të sipërpërmendur;
b) verifikohet se sipërfaqja, për të cilën është lëshuar akti i marrjes së tokës në pronësi, është objekt i trajtimit sipas ligjeve të sipërpërmendur dhe madhësia e saj është në përputhje me përcaktimet ligjore;
c) janë krijuar në përputhje me procedurat dhe afatet e përcaktuara në ligjet e sipërpërmendur.

Ishte
Pika 4, e shkronjës “B”, të kreut III
b) Zyra rajonale të AKKP-së, sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave me nr.567, datë 5.9.2007 “Për miratimin e kritereve dhe të procedurave, përcaktimin e pronave, fond pasurie të paluajtshme, për kompensim fizik”, dhe nr.868, datë 18.6.2008 “Për krijimin e fondit të kompensimit fizik nga fondi i tokës bujqësore”, kur toka bujqësore e liruar rezulton me prejardhje nga ish-ndërmarrjet bujqësore (NB), sipas gjendjes më 1.10.1992.

bëhet
Pika 4, e shkronjës “B”, të kreut III, ndryshon, me këtë përmbajtje:
n Dërgon për regjistrim në ZVRPP vendimin gjyqësor përfundimtar për sipërfaqet e tokës të liruara nga fitimi, mbajtja dhe përdorimi i paligjshëm i tyre, që kalojnë në pronësi të shtetit, pas procedurave të realizuara sipas përcaktimeve të neneve 9 e 10, të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar. Pjesë e detyrueshme e këtij vendimi është planvendosja e ngastrës/ave.

– Për këto sipërfaqe toke KV-ja harton së bashku me DAMT-in, pranë Këshillit të Qarkut, procesverbalin përkatës, në përmbajtje të të cilit pasqyrohen vendndodhja (fshati dhe bashkia, zona kadastrale), numri dhe lloji kadastral i ngastrës, sipas regjistrit të DAMT-it, sipas sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, si dhe sipërfaqja e saj, i shoqëruar me planvendosjen e ngastrës/ave. Përgjegjësi i DAMT-it, pas marrjes së kopjes së procesverbalit dhe në mbështetje të tij, njofton për këtë veprim edhe bashkinë, në territorin e së cilës ndodhet toka.

-Komisioni vendor, një kopje të vendimit gjyqësor përfundimtar, të planvendosjes së ngastrës/ave dhe procesverbalit, për ngastrat që ndodhen në territorin e ish-ndërmarrjeve bujqësore, i paraqet në Agjencinë e Trajtimit të Pronës. Këto sipërfaqe të tokës përdoren për fondin e kompensimit fizik, në zbatim të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.

– Përgjegjësi i DAMT-it, pas marrjes së kopjes së procesverbalit dhe në mbështetje të tij, për ngastrat që ndodhen në territorin e ish-kooperativave bujqësore, e paraqet atë në bashkinë, në territorin e së cilës ndodhet toka, për t’u administruar sipas dispozitave të ligjit nr.8312, datë 26.3.1998, “Për tokat bujqësore të pandara”.

-Komisionet vendore kanë detyrimin që, brenda dy muajve, nga data e hyrjes në fuqi e këtij vendimi, të paraqesin në Agjencinë e Trajtimit të Pronës të gjitha vendimet gjyqësore përfundimtare, të marra para kësaj date, të shoqëruara me planvendosjet e ngastrës/ave dhe procesverbalin/et përkatës.”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: