Gazetari Julian Hoxha në një intervistë në “News24” foli për një sërë çështjesh dhe zhvillimesh që kanë prekur së fundmi vendin.
Fillimisht u ndal te çështja në Zvërnec e cila pasoi edhe protesta në Zvërnec por edhe në Tiranë, kur qytetarë të shumtë protestuan kundër ndërtimeve në zonat e mbrojtura.
“Kryeministri ka një ndjesi të veçantë kur vjen puna tek Vlora dhe u bë të paktën një vit që po i kthen një resto që nuk e ka pritur. Rama është munduar të bëjë shumë propagandë, por në të vërtetë ka pasur shumë pak punë dhe qytetarët e kanë kuptuar. Sepse puna ka kaluar në grabitjen e pronave dhe pa dashur të ngre akuza, por çështja e investimeve mbart shumë dritëhije që në momentin që kjo qeveri ka nisur koncensionin. Përmend këtu tigrat e Vlorës, apo shumë projekte të tjera që Rama i ka përdorur sepse ia ka dhënë dikujt. Kryeministri ua jep atyre njerëzve që do t’i ketë në mbështetje. Dhuna e policisë private ndaj protestuesve është e patolerueshme. Shohim raste ku rrëmbehen qytetarë si në skena filmash”, tha ai, duke shtuar: “Të gjitha projektet janë dhënë për interesa okulte. Duke nisur nga Palasa në Ksamil, kemi procesin hetimor të SPAK ku thotë se toka ku do ndërtonte bashkëshorti i një deputete, ish-ministre të kryeministrit Rama është e tjetërsuar. Kemi një kryetar bashkie në Himarë që po bën burgun për tokën e Olta Xhaçkës… E kemi shumë projekte në jug dhe banorëve që u janë marrë pronat. Kemi rastin e Rrjollit në të njëjtën situatë. Çdo projekt në interes strategjik të zhvillohet, por në Shqipërinë nuk po mbetet tokë e lirë…”
