Një prej qytetarëve pjesëmarrës në protestën që po zhvillohet për të 52-ën ditë radhazi para Kryeministrisë deklaroi se revolta qytetare synon largimin e kryeministrit Edi Rama, por edhe ndryshimin e klasës politike që, sipas tij, ka qeverisur vendin për 36 vite.

Protestuesi renditi si arsye të pjesëmarrjes së tij korrupsionin, problemet në sistemin e shëndetësisë, arsimit dhe çështjet e pronësisë, duke akuzuar qeverinë se nuk ka mbajtur premtimet.

“Kemi 52 ditë në protestë për largimin e Ramës, për shkak të korrupsionit, problemeve me arsimin dhe shëndetësinë. U premtua shëndetësi falas, por nuk e kemi as me lekë. Nuk ka shëndetësi falas, është gënjeshtër. Kam punuar gjithë jetën, kam paguar taksa dhe nuk gjej asnjë siguri”, u shpreh ai.

Më tej, protestuesi tha se Shqipëria nuk mund të integrohet në Bashkimin Europian pa përmbushur standardet e nevojshme.

“Si mund të shkosh në Europë me këto standarde? Europa ka standardet e veta. Edhe pronat nuk t’i japin”, deklaroi ai.

Duke komentuar vizitën e kryeministrit Edi Rama në Theth, qytetari u shpreh se ajo ishte një përpjekje për të zbutur situatën.

“Pse ka shkuar Rama në Theth sot? Ka shkuar për të kërkuar mëshirë, të shpëtojë”, tha ai.

Në fund, protestuesi kritikoi edhe kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke pretenduar se protesta ka vënë përballë përgjegjësisë si mazhorancën, ashtu edhe opozitën.

“Kjo protestë e ka kapur mat edhe Berishën, edhe Ramën. Dëmin më të madh po e bën Berisha. Po të hapë krahun ai, Rama largohet menjëherë. Jam në protestë që të zhduken këta politikanë të 36 viteve”, u shpreh protestuesi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb