Kompania “Zvërnec South Adriatic Development” ka reaguar zyrtarisht pas tensioneve të regjistruara gjatë ditës së sotme në Zvërnec mes protestuesve dhe përfaqësuesve të projektit. Përmes një deklarate për mediat, kompania ka shprehur keqardhje për atë që e cilëson si “abuzim me ndjenjat e publikut” dhe përpjekje për të përbaltur një investim që parashikohet të kapë vlerën e mbi 4 miliardë eurove.

Sipas kompanisë, rrethimi i vendosur është bërë në zbatim strikt të ligjit mbi një pronë private që ajo disponon. Kompania ka sqaruar se investitorët kanë një karrierë të pakontestueshme ndërkombëtarisht dhe synojnë ta kthejnë Vlorën në një nga pikat më të rëndësishme të turizmit në Mesdhe, duke kontribuar me 3 deri në 4% në GDP-në e vendit brenda 5 viteve të ardhshme.

Në reagimin e saj, kompania ka listuar disa pika kyçe për të sqaruar opinionin publik përballë asaj që e quan “mjegull e abuzimit mediatik”:

Pronësia e tokës: Trualli ku do të zhvillohet projekti është pronësi private “metër për metër”, e blerë nga pronarët e ligjshëm me certifikata pronësie të noterizuara dhe me pagesa të kryera tërësisht përmes sistemit bankar.

Impakti në punësim: Investimi parashikon të krijojë direkt dhe indirekt mbi 10,000 vende të reja pune, duke u kthyer në një motor ekonomik për qarkun e Vlorës dhe mbarë Shqipërinë.

Mbrojtja e mjedisit: Prej dy vitesh janë angazhuar ekspertët më të spikatur globalë për studimet mjedisore, duke garantuar ruajtjen e plotë të biodiversitetit të zonës.

Brandet botërore: Janë lidhur marrëveshje me disa prej brandeve më të njohura të ekselencës botërore në fushën e hotelerisë, restoranteve dhe shërbimeve.

“Dënojmë me forcë çdo akt dhune ndaj pronës private si edhe hedhim poshtë çdo përpjekje që synon disinformimin e publikut. Me këdo që do të përpiqet të na pengojë apo shantazhojë, do të përballemi ligjërisht”, mbyllet reagimi i kompanisë “Zvërnec South Adriatic Development”.

Reagimi i plotë:

Me keqardhje të thellë që po abuzohet me ndjenjat e publikut në rrjetet sociale dhe po investohet për të përbaltur një sipërmarrje kolosale për turizmin dhe ekonominë shqiptare, kompania “Zvërnec South Adriatic Development” njofton shtypin dhe opinionin publik si më poshtë:

Në zbatim strikt të legjislacionit shqiptar dhe në dialog të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse, kompania ka arritur të nisë fazën fillestare të një prej investimeve më të mëdha në fushën e turizmit në Detin Mesdhe, duke vendosur sipas ligjit rrethimin e pronës private që ajo disponon.

Teksa kompania është duke zhvilluar projektin final të ndërtimit, me ambicien për të arritur standardet më të larta arkitekturore dhe mjedisore, dhe ende pa u prezantuar projekti, gjendemi të detyruar të japim disa shpjegime:

Investimi parashikohet të arrijë vlerën e mbi 4 miliardë eurove, duke kontribuar me një rritje nga 3 deri në 4% në GDP (Prodhimi i Brendshëm Bruto) e Shqipërisë, në 5 vitet e ardhshme.

Investimi do të kujdeset tërësisht për ruajtjen e mjedisit dhe biodiversitetit të zonës dhe për këtë investitorët kanë angazhuar prej 2 vitesh kompetencat më të spikatura në nivel global, për studimet mjedisore përkatëse. Të cilat padyshim do të ndahen jo vetëm me institucionet, po edhe me publikun.

Investimi do të krijojë direkt dhe indirekt mbi 10.000 (dhjetë mijë) vende të reja pune, duke u bërë një motor i rëndësishëm për ekonominë e zonës, të qarkut Vlorë dhe gjithë Shqipërisë.

Bazuar në eksperiencat e mëparshme të investitorëve, që kanë një portofol ndër më të spikaturit globalisht në fushën e turizmit, kompania beson se investimet dytësore që do të pasojnë do të rrisin ndjeshëm të gjithë zinxhirin e vlerës së ekonomisë vendore, nga vlera e pasurive të patundshme të krejt zonës së Vlorës deri tek diversifikimi i ofertës ekonomike dhe niveli i pagave për zonën.

Investitorët kanë një bilanc kuptimplotë të bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin në çdo investim të tyre, si edhe të përgjegjshmërisë sociale, gjëra që janë pjesë e planifikimit të punës dhe do të nisin bashkë me punën për projektin.

Ndërkohë nënvizojmë sa më poshtë disa të vërteta të mbuluara nga mjegulla e abuzimit mediatik:

Trualli në të cilin do të zhvillohet projekti është pronësi private metër për metër dhe kompania e ka blerë nga pronarët e ligjshëm, me certifikata pronësie të noterizuara. Të gjitha transfertat e blerjeve në lidhje me pronësinë janë kryer përmes sistemit bankar dhe janë lehtësisht të verifikueshme.

Të gjithë punonjësit që janë punësuar apo do të punësohen më tej në projekt janë dhe do të jenë subjekt i kontratave përkatëse sipas legjislacionit shqiptar.

Të gjithë hapat e ndjekur nga kompania janë bazuar në legjislacionin shqiptar dhe në konformitet të plotë me autorizimet përkatëse në çdo hap.

Projekti i ndërtimit, ashtu si edhe ai mjedisor, po finalizohet nga disa studio ndër më të mirat në botë dhe sapo të përfundojë do të ndahet publikisht me të gjithë të interesuarit.

Kompania ka lidhur marrëveshje me disa prej brandeve më të njohur të ekselencës botërore në fushën e hotelerisë dhe shërbimeve të tjera, nga restorantet e baret deri tek aktivitetet sportive apo edukative.

Investitorët kanë një karrierë absolutisht të pakontestueshme dhe zotërojnë kompani të kuotuara në bursat ndërkombëtare, si edhe kapitale të pakontestueshme nga askush. Edhe kompania “Zvërnec South Adriatic Development” nuk do të bëjë asnjë përjashtim në zinxhirin e kompanive të tyre, të cilat janë krenare të mishërojnë ekselencën globale në çdo fushë të aktivitetit të tyre.

Duke dënuar me forcë çdo akt dhune ndaj pronës private si edhe duke hedhur poshtë çdo përpjekje që synon disinformimin e publikut, kompania kërkon mirëkuptimin dhe durimin e publikut, duke i siguruar të gjithë ata që duan zhvillimin e qëndrueshëm dhe të suksesshëm të Shqipërisë, se nuk do të zhgënjehen kurrësesi nga cilësia absolute e projektit dhe produktit tonë.

“Zvërnec South Adriatic Development” është forca që do të zbatojë një investim ndërkombëtar, me bindjen dhe përkushtimin për ta shndërruar Vlorën në një nga pikat më të preferuara për turizmin botëror, ndërkohë që investitorët e këtij projekti janë miq të padiskutueshëm të Shqipërisë që frymëzohen nga tradita dhe mikpritja legjendare shqiptare.

Le të punojmë të gjithë së bashku, me besim dhe vërtetësi me njëri-tjetrin. Ndërsa me këdo që do të përpiqet të na pengojë apo shantazhojë, do të përballemi ligjërisht.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb