Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në studion e News24, ka bërë një deklaratë të fortë dhe ka denoncuar atë që po ndodh në prapaskenë, ndërsa komentoi protestën masive qytetare që po zhvillohet prej disa ditësh në kryeqytet.
Lala e cilësoi këtë si një nga protestat më të bukura dhe më qytetare që ka parë ndonjëherë, por dha alarmin se ka marrë informacione të sakta se ndaj studentëve pjesëmarrës ka nisur një valë e egër presioni dhe shantazhi shtetëror për t’i demoralizuar.
Gazetarja zbuloi një dëshmi të një studenti që e kishte ndaluar personalisht, duke i kërkuar që ta bënte publike këtë formë presioni.
“Ka qenë një ndër protestat më të bukura që kam parë dhe uroj që të mos demoralizohen qytetarët, sepse që sot kam pasur informacion se studentë të caktuar janë kërcënuar të mos dalin në protestë, duke i kërcënuar me punën e prindërve. Një prej tyre më ndaloi sot dhe më kërkoi ta thosha hapur,” deklaroi Lala.
Më tej, Lala bëri një dallim të qartë mes këtij tubimi organik dhe protestave të organizuara nga partitë politike, duke vënë në dukje praninë e lartë të familjarëve dhe intelektualëve të rinj.
“Kjo është protestë qytetare. Një nënë me fëmijë në krah thoshte: ‘Kam dalë këtu për të ardhmen e fëmijës sim’. Prindërit protestonin për një vend më dinjitoz për fëmijët e tyre. Kam parë të rinj vitalë që nuk i kam parë në protestat e partive politike. Protestuesit kanë treguar qytetari,” u shpreh gazetarja.
Lala nuk i kurseu kritikat e ashpra ndaj masave të marra nga Policia e Shtetit, duke e cilësuar të papranueshëm përdorimin e lëndëve djegëse ndaj një turme ku kishte të pranishëm edhe fëmijë të vegjël.
“Gardhi metalik mund të ishte vendosur sa kalon kryeministrinë, nuk kishte nevojë të vendosej te ura e Lanës për të penguar protestuesit. Ata nuk patën dhunë, pati vetëm një konfrontim normal për të tejkaluar gardhin. Nuk duhet të përdorej ujë me piper nga policia drejt protestuesve, sepse aty kishte edhe fëmijë. Do të doja të kisha parë një polici që të përshëndeste protestuesit,” tha ajo.
