Aktivisti dhe studenti Martin Myrtollari tha sot nga studio e News24 me Nisida Tufa, se protesta qytetare do të arrijë qëllimin e saj në largimin e qeverisë, pasi pushteti është trembur dhe kapur në befasi. Ai nënvizoi se bashkë me kryeministrin Edi Rama duhet të dorëhiqen edhe deputetët, pasi kjo nuk është protestë vetëm për Zvërnecin, por edhe për kastën e vjetër politike dhe ligjvënësit.

Myrtollari e cilësoi të rëndësishme pjesëmarrjen e diasporës në protestën që hyn sot në ditën e 44-t dhe theksoi se ajo nuk do të ndalet, pavarësisht temperaturave të larta apo pushimeve.

Myrtollari falënderoi edhe News24 për mbulimin e protestës nga dita e parë, ndërsa kërkoi edhe angazhimin e mediave të tjera.

“Përkrahja e mediave, si e News24, ka rëndësi, nëse ajo bëhet e gjitha krah dhe shkon në rrugën e duhur, atëherë ndryshimi vjen më shpejt. Falenderoj televizionin News24 për përkrahjen e dhënë që nga dita e parë, mendoj se media është me rëndësi për këtë protestë”, tha ai.

Për aktivistin, nuk duhet të dorëhiqet vetëm Edi Rama, por edhe deputetët, integriteti i të cilëve ka rënë, ndërsa në mënyrë simbolike qytetarët i godasin me vezë dhe miell:

“Situata jashtë Parlamentit atë ditë ndodhi për të mbuluar atë që po ndodhte brenda, ku u kalua një ligj për SHISH-in. Por ata nuk po e kuptojnë ende këtë protestë që ka arritur në ditën e 44-t. Shohim çdo ditë mijëra njerëz në shesh me parulla dhe pankarta, jo vetëm për Zvërnecin, por për të shprehur revoltën ndaj politikës shqiptare dhe ndaj atij Parlamenti. Çdo ditë në protestë gjen një arsye për të ardhur në ditën tjetër. Kërkesa kryesore është dorëheqja dhe ajo nuk duhet kërkuar vetëm ndaj kryeministrit, por edhe deputetëve. Simbolika më e bukur ishte dita kur u rrethua Kryeministria. Ne jemi shumë afër fitores dhe për këtë jam i bindur. Edhe simbolika e goditjes së deputetëve me vezë ishte shumë e bukur. Unë mendoj se ata deputetë që qëllohen me vezë duhet të dorëhiqen, sepse është një ulje e integritetit të tyre, ishte simbolikë shumë e bukur”.

Aktivisti deklaroi se shumë ishin përpjekur ta shuanin protestën dhe ta përçanin, por pa sukses, teksa gëzojnë edhe mbështetjen e BE-së.

“U munduan ta shuanin dhe ta ndalnin atë protestë por është e pamundur që në këtë fazë ajo të shuhet apo të përçahet. Asnjë kryeministër se jep dorëheqjen apo ta deklarojë 2-3 muaj para. Gjithmonë ka ndodhur në një moment të papritur. Edhe eurodeputetët e BE-së na mbështesin, na kanë thënë se qeveria s’mund të kalojë ligjet që do vetë dhe duhet t’i bindet qytetarëve”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb