Ndërsa kryeqyteti përgatitet për protestën e 12-të radhazi kundër qeverisë, publicisti dhe aktivisti Marlind Laçi, i ftuar në programin e drekës në News24, ka bërë një analizë të situatës dhe frymës që mbizotëron në shesh.

Sipas Laçit, qytetarët tashmë po artikulojnë qartë kërkesat e tyre, të cilat nuk lidhen vetëm me largimin e kryeministrit Edi Rama, por me një pastrim të të gjithë klasës së vjetër politike që dominon vendin prej tre dekadash.

Gjatë fjalës së tij, aktivisti theksoi se një pjesë e madhe e protestuesve e shohin ish-kryeministrin Sali Berisha si pengesë për ndryshimin e vërtetë.

“Shqiptarët po artikulojnë politikisht dhe kërkojnë largimin e qeverisë Rama, rrëzimin e saj, por njëkohësisht kërkojmë edhe largimin e Sali Berishës,” u shpreh Laçi. Sipas tij, Berisha shihet nga shumica si një figurë që nuk lejon proceset natyrale evolutive në politikë.

“Zoti Berisha është ortak i qartë me zotin Rama. Ai nuk po lejon të ndodhin procese të natyrshme evolutive në politikën shqiptare.”

Për publicistin, rruga e vetme për të rikthyer demokracinë është masivizimi i revoltës qytetare dhe qëndrimi në shesh deri në përmbushjen e misionit për të larguar “politikën e vjetër”.

“Protesta duhet të vijojë pa mbarim deri në largimin e politikës së vjetër që ka marrë peng demokracinë shqiptare prej 35 vitesh,” përfundoi aktivisti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb