Një nga organizatorët e protestave qytetare, Arben Kola, ka reaguar pas incidenteve të ndodhura gjatë protestës së sotme para Kuvendit, ku disa protestues u shoqëruan nga policia dhe u regjistruan momente tensioni.
Në një deklaratë publike, Kola akuzoi autoritetet se po synojnë përshkallëzimin e situatës, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të reagojnë në mënyrë të pavarur, duke theksuar se organizatorët nuk mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.
“Këta kërkojnë dhunë, duan dhunë, jo protestë paqësore. Tani e tutje shqiptarët të reagojnë në mënyrë të pavarur dhe ne nuk mbajmë përgjegjësi. I zuri tmerri nga koshi, Ballën dhe Ballukun.”
Më tej, Kola i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen, duke deklaruar:
“Rama jep dorëheqjen, më mirë para se qytetarët t’ju marrin vërtet zvarrë e t’ju hedhin në kosh. Lërjani radhën rinisë, në PS e PD ka shumë të rinj që mund të qeverisin shumë më mirë se Rama dhe Saliu”, tha ai.
Ai paralajmëroi policinë të ketë kujdes. “Dhunës do i përgjigjemi me dhunë”, tha ai.
