Partia Socialiste ka mbledhur këtë pasdite, në orën 16:00, Grupin Parlamentar, teksa në orën 17:00 pritet të nisë sesioni i ri parlamentar për vitin 2020.

Mbledhja e grupit të PS është drejtuar nga Taulant Balla, pasi kryeministri Edi Rama është në një vizitë zyrtare në Kiez të Ukrainës, në kuadër të kryesimit të OSBE nga Shqipëria.

Në mbledhje, mësohet se Grupi Parlamentar i PS i propozoi Kuvendit Milva Ekonomin për kryetare të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, për shkak se Arben Ahmetaj, që drejtonte këtë komision, është emëruar ministër për Rindërtimin. ndërkohë, Mirela Kumbaro u propozua nga PS në postin e nënkryetares së Komisionit Parlamentar të Medias, duke zëvendësuar Milva Ekonomin.

Gjithashtu, një tjetër temë e rëndësishme që u diskutua në mbledhje, siç raporton për “BalkanWeb” gazetari Ergys Gjençaj, është edhe zgjedhja e emrit të kryetarit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, që do të votohet në seancën plenare.

Sipas gazetarit Gjençaj, Grupi Parlamentar i PS pritet të mbështesë kandidaturën e Artur Metanit për Inspektor të Lartë të Drejtësisë. Metani u rendit i pari në listën e propozuar prej 5 kandidatësh nga KED. Për votim në seancë nevojten 84 vota deputetësh.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb