Politologia Evi Kokalari ka treguar sot në emisionin “Pikat mbi i” në News 24 arsyet që e shtynë të shkruante statusin ku i drejtohej Berishës me fjalët “turp të të vijë” për manipulimet që nuk parandaloi në Forumin Rinor të PD-së.

Ajo u shpreh se Berisha i kishte premtuar se do ta kthente PD-në në konservatore, por nuk bëri asgjë për ato që ndodhën gjatë votimeve në strukturat drejtuese.

Ku po çalon rithemelimi i PD?

Zheji: Deklarata e Kokalarit ishte një rrufe në qiell të kthjellët. Zonja nuk ka pasur filtra në komunikimin e saj, ka qenë e drejtpërdrejte. Betejën e saj ajo e ka pasur me forumin rinor të PD-së, që si një klan kanë kapur poste të rëndësishme në Këshillin Kombëtar dhe Kryesi.

Është një plejadë e re, por që sipas Kokalarit veprojnë me metoda të vjetra. Është për tu përshëndetur guximi i Kokalarit që i ka ezauruar të gjitha shkallët e hierarkisë. Këtu ka një gjë, zonja Kokalari ka dalë në disa raunde debatesh televizive. Ka disa kundërshti apo aluzione të helmuara sepse mendohet që ajo tani nuk është më thjesht pjesë e ndërgjegjes së konservatorëve demokratë, por aluzioni është sikur po luan për Qeverinë.

Pse e kritikoni Berishën sot? Ku po çalon rithemelimi i PD?

Kokalari: kritika është gjithçka dhe të dalësh kundër është diçka tjetër. Unë nuk i kam dalë kundër Berishës, por e kam kritikuar që kanë lënë të ndodhin disa gjëra nën hundën e tij dhe ai nuk i ka ndaluar. Ne e kemi paralajmëruar për gjëra që po ndodhnin. Dalja ime në krah të tij i solli shumë njerëz dhe ngriti shpresën në PD. Berisha këtë shfrytëzoi. Berisha më premtoi që çfarëdo që të bëja unë, ishte premtimi për kthimin e PD-së në parti konservatore. Berisha mori këdo që i doli në krah dhe fatkeqësisht mes tyre kishte disa persona që i besonte.

Problemi ishte se disa nga këta persona ishin pjesë e grupit të Bashës që kishin bërë manipulimet me të në të gjitha garat që kishte bërë Basha. Nëse ti sjell një PD të rithemeluar dhe ata vazhdojnë me zakonet e vjetra, PD nuk rithemelohet. Ky ka qenë konflikti bazë. Kritika ime nuk është se i dola kundër Berishës, por e kritikova pasi u lodha duke i thënë “ti nuk mund ta bësh një PD me këta njerëz që kanë manipuluar me Bashën”. i tregova manipulimet dhe prapë nuk bëri gjë. Këtu është një luftë mes mentalitetit të vjetër dhe mentalitetit të ri. Nuk mund të bëja indiferenten kur dija se çfarë ndodhi me Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar. Ajo shprehja “turp të të vijë Sali Berisha” më doli nga shpirti. Berisha ishte shpresa e fundit.

Jeni penduar për atë që shkruajtët?

Kokalari: Nuk jam penduar. Këtë luftë e kam nisur që në maj kur isha në Shqipëri. Berisha më është gjendur për të parë votat. Ajo që më ka penduar ka qenë Albana Vokshi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb