Në raportin e vitit 2018 për klimën e biznesit në Shqipëri, Departamenti Amerikan i Shtetit nënvizonte faktin se në të gjithë territorin tonë përllogariten afërisht 440 mijë ndërtime pa leje. Që nga ajo kohë situata nuk është se ka ndryshuar, shtëpitë, pallatet e deri gradacelat pa leje janë aty. Ka një lukuni zyrtarësh shteti që i vinë rrotull qytetarëve “në hall” për t’u kapur ndonjë kafe të mirë për tapitë.

Ashtu si në shkallët e administratës edhe këtu ka një skemë piramidale, për shtëpitë e thjeshta paratë doroviten tek inspektorët poshtë, për pallatet dhe objekte e biznesit paratë kalojnë lart tek shefat e inspektorëve, ndërsa për gradacelat, hotelet e mëdha, resortet dhe komplekset e biznesit, “kafja” është në nivel kabineti qeveritar. Kush nuk arrin të gjejë kanalin e duhur është i humbur. Kjo skemë është aq e fuqishme sa ka arritur të devijojë gjurmë rrugësh të rëndësishme, ku rrethi i kuq i shembjeve ka rënë mbi ata që s’kanë paguar.

Paralelisht të gjitha bashkitë e vendit po investohen fuqishëm në dhënien e lejeve të ndërtimit kryesisht për pallate banimi, duke e konsoliduar këtë sektor si një nga më të rëndësishmit të ekonomisë shqiptare. Një bum të fuqishëm po njohin edhe lejet për ndërtesa gjigande në qendër të Tiranës, zona rezidenciale luksi dhe resorte në bregdet. Kjo kategori lejesh është eksluzivitet i qeverisë në Tiranë, që përmes këshillit kombëtar të territorit drejtuar nga Edi Rama miraton planet, ndërsa përmes një agjencie të posaçme shpall subjekte të ndryshme si investitorë strategjike duke i ofruar një sërë lehtësirash.

Në këtë panoramë po investohet fuqishëm së fundmi edhe kryeministri Edi Rama. Gati 10 vite pasi kontrollon pothuajse gjithçka në vend, ai urdhëroi një sulm të paprecedentë ndaj një investimi krejtësisht ligjor të lidhur drejtpërdrejt me zotin Irfan Hysenbelliun, pronarin e grupit mediatik fokus, që zotëron televizionin News24, BalkanWeb, Gazetën Panorama, Gazetën Shqiptare, etj, për shkak të vijës editoriale. Pasi prishi në shkelje të plotë të ligjit pishinat e “Presitige Resort” në mes të sezonit turistik duke tmerruar turistët e vendas dhe të huaj, sulmi i Ramës vazhdoi në fillim të dhjetorit duke shembur me dinamit të gjithë resortin, lejen për të cilin e kishte firmosur po vetë, si kryetar i Këshillit kombëtar të territorit, ndërkohë që ka qenë një frekuentues i rregullt i mjediseve të Prestige. Përsëri e njëjta skemë terrori, punonjës të “Prestige Resort” dhe turistë që flaken dhunshëm jashtë nga policia dhe IKMT, pa paralajmërim dhe pa paraqitur asnjë dokument. Në qendër është përsëri vija editoriale e grupit mediatik të zotit Irfan Hysenbelliu që nuk ndryshoi qëndrim nga sulmi i parë që nisi në fund të gushtit. Investimi i kryeministrit ishte aq i fortë sa selektiviteti në shembjen e Prestige Resort kërciste kundrejt morisë së ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare.

Brenda këtij harku kohor qeveria e Edi Ramës miratoi një vendim kontrovers për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, duke përfshire katet apo shtesat pa leje të objekteve për qëllime fitimi që kanë shkelur lejet e ndërtimit. Hapësirat e marra do t’i kalojnë shtetit, që sipas rastit do t’i shfrytëzojë për mjedise zyrash, strehim ose shërbime sociale,” deklaroi Rama. Efekte Vetë ministrat u turrën duke zbuluar pallate pa leje brenda në Tiranë, ndërsa Kryeministri nuk kishte parë katet pa leje të përbindëshave të betonit të firmosura prej tij në qendër të kryeqytetit.

Vendimi është konsideruar krejtësisht antikushtetues nga ekspertet ligjore, pasi askush përveç gjykatave nuk mund të vendosë konfiskim pronash. Por kjo nuk e ndali aspak Edi Ramën që në zyrën e tij të firmoste plot 15 procedura konfiskimi ndërtimesh mes tyre dhe prona të biznesmenëve të rëndësishëm të lidhur me qeverinë.
Publiku pyet se pse po ndodhin tani këto sulme nga kryeministri, ku një media goditet për shkak të vijës së saj editoriale dhe biznesmenë të tjerë duhet të humbin të investimin brenda ditës një proces të rregullt ligjor dhe pa asnjë procedurë. Si gjithmonë e vërteta ka disa anë. Përgjigja mund të jetë tek mania e Edi Ramës për ndërtimet dhe median. Kryeministri nuk ka drejtuar gati gjysmën e mbledhjeve të qeverisë që nga dita kur ka ardhur në pushtet, ndërsa nuk ka humbur asnjë prej mbledhjeve të këshillit të kombëtar të territorit, po ashtu me konfiskimet e objekteve të bizneseve të lidhura me qeverinë sipërmarrësve u jepet sinjali të bëjnë kujdes në prag të fushatës për zgjedhjet lokale që të mos ndërrojnë krah politik, kurse sulmi ndaj medias është goditje e pastër e fjalës së lirë dhe një tentativë e pastër për të kontrolluar edhe ato pak hapësira jashtë radarëve qeveritarë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb