TIRANE- Historia e dy vajzave nga Durrësi, Orialdës dhe Klevisës, që u larguan nga shtëpia bashkë me lekët e prindërve për të qëndruar sa të mundeshin në Vlorë, nuk ka mbaruar. As nuk dihet nëse do të mbarojë ndonjëherë. Është vetëm një prej rasteve të adoleshentëve të rebeluar, që në një formë a një tjetër, i
japin realitetit përmasat që duan. Pasi policia i gjeti të dy vajzat në një banesë me qira në Vlorë, ato vetë ishin siguruar që dëshminë e tyre ta ndanin me të gjithë në YouTube, ku tregonin histori të shëmtuara që i kishin shoqëruar që nga fëmijëria e deri sot që, sipas tyre, ishin detyruar të largoheshin. Ndër të tjera, vajzat përmendnin shpesh psikologun e shkollës së tyre, tek i cili shkonin për të folur, por ky i fundit u thoshte flisni me prindërit. Ne kemi folur me psikologun Edmond Dragoti, se si duhet në fakt të veprojë një njeri i specializuar, pjesë e një institucioni, në të tilla raste. E kemi pyetur se ç’do të ndodhë me këto vajza në të ardhmen, kur historia të jetë ftohur, si reagon shoqëria, nga se shkaktohen këto sjellje të deformuara e si mund të parandalohen…
Ju e keni ndjekur lajmin e dy motrave nga Durrësi, që u larguan nga shtëpia për shkak se prindërit dhe motra më e madhe i keqtrajtonin. Si mendoni, a është e mundur të ketë fryrje të historisë nga ana e vajzave, apo ky është realiteti ynë dhe nuk e njohim?
Për fat të keq, nuk besoj fare që mund të mos jetë e vërtetë sepse, pavarësisht nga sa raste mund të bëhen publike, kjo është një situatë që e hasim shpesh. Ka shumë familje, sidomos ato që jetojnë në zona periferike e fshatra, te të cilat haset ky konflikt brezash e kulturash. Ndodh sidomos te familjet migratore, të cilat pas zhvendosjes, gjenden përballë kulturave të ndryshme nga ato që janë mësuar, nuk kanë njohje, nuk kanë identitet. Janë të frikësuar sepse u duket se e kanë të pamundur të mbajnë situatën nën kontroll dhe për pasojë, bëhen të dhunshëm. Ata janë mësuar e janë formuar në një shoqëri kolektiviste ku hanin e pinin bashkërisht, jepnin gjithnjë llogari përpara dikujt. Mirëpo sot, kultura e re, ajo individualiste, që të imponohet nga zhvillimi i vendit e i shoqërisë, rrëzon atë me të cilën këta njerëz janë mësuar. Kjo ndodh gjithandej e jo vetëm në rastet që ju përmenda më lart, edhe në qytete të zhvilluara, por sigurisht me përmasa më të vogla.
Kur thoni se ky është realiteti, se raste të ngjashme ka shumë, u referoheni rasteve konkrete që mund të jenë drejtuar te ju, apo…
Po, u referohem rasteve konkrete. Gjendem shpesh duke biseduar me studentët e zonave rurale për realitetin dhe situatat në vendet prej nga vijnë. Edhe ju, edhe të gjithë e dinë që vajzat janë vazhdimisht të diskriminuara, që nuk u lejohet shkollimi. Madje jo shkolla e lartë, por as ajo e mesme. Qysh nga lindja, qëllimi i vetëm i këtyre familjeve është t’i martojnë vajzat. Edhe këto të fundit, e konsiderojnë çlirim martesën, mendojnë se do të gjenden patjetër më mirë aty se në familjen e origjinës, aq të keqtrajtuara janë. Por, jo të gjithë reagojnë dhunshëm, mbase edhe prej pamundësive. Motrave që vepruan, u gjendeshin sidoqoftë ca para në shtëpi për t’u larguar. Mendoni sa të tjerë ka që nuk mund të kenë para as për t’u ushqyer. As paratë e as largimi nuk janë zgjidhje.
Cila është zgjidhja?
Duken lehtësisht të arrira me fjalë, por nuk është kështu. Roli i prindërve e shkollës është vendimtar. Janë të gjitha hallkat përgjegjëse e duhet të jenë të mirorganizuara që situatat të mos përkeqësohen.
Si mund të përmirësohen kur nxënësi shkon te psikologu i shkollës, i tregon çfarë i ka ndodhur me prindërit, dhe ai e dërgon sërish në shtëpi duke i thënë fol me prindërit?
Në fakt, në këtë rast, duhet të ishte psikologu ai që duhet të fliste me prindërit. Prandaj është e nevojshme prania e psikologut, por edhe e punonjësit social nëpër shkolla që t’u shërbejë marrëdhënieve. Gjithnjë nëse del e vërtetë, duhet së pari të “ndihmohet” prindi. Është e vërtetë, prindi ka nevojë po aq sa fëmija për ndihmë të specializuar në këtë rast e në shumë raste të tjera, por së pari duhet të hetohet e të marrë policia masat e duhura.
Edhe në rast se kjo situatë kapërcehet, marrëdhënia nuk mund të rikuperohet, apo, s’është në dëshirën e asnjërës palë që kjo gjë të ndodhë?
Është e vështirë, sepse adoleshentët e shohin prindin si të prapambetur, të pazotin. Nga ana tjetër, prindi është vërtet i paaftë për të edukuar fëmijët, hendeku është i madh. Marrëdhënia as ka qenë e as do të jetë ndonjëherë ashtu siç duhet. Me sa duket, në këtë rast nuk janë të pranishëm as të afërm të tjerë të familjes, te të cilët mund të kërkohet ndihmë. Rebelimi është i pranishëm te çdo adoleshent, por në forma të ndryshme, varësisht edhe edukimit që ka marrë e kulturës familjare.
Çfarë do të ndodhë me këto vajza nesër kur të shkojnë në shkollë, kur të jenë sërish pjesë e grupeve shoqërore apo rrethit të tyre? Si duhet vepruar, si duhen trajtuar?
Së pari duhet trajtuar doemos nga njerëz të specializuar e organizata në ndihmë të rasteve të tilla. Psikologu, mësuesi, miqtë e të afërmit duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që t’i ndërgjegjësojnë e të lehtësojnë integrimin te moshatarët e tyre. Do të ketë patjetër njerëz, qofshin këta edhe moshatarë, që do t’i diskriminojnë, por do të ketë edhe të tjerë që do t’i mbështesin, sepse mund të gjenden në një situatë të ngjashme.
Reagimet e shoqërisë përmes komenteve në rrjetet sociale kanë qenë tmerruese, po aq sa ngjarja. Togfjalëshi që hasje më shpesh ishte “duan dru!”…
Mendoj që janë vëllezërit ata që mendojnë e reagojnë në këtë mënyrë, sepse nuk ma do mendja që vajzat të shkruajnë kështu. Jemi ende dhe do të jemi akoma për gjatë një shoqëri maskiliste. Sado që së jashtmi ti mund të shoqërohesh me njerëz që nuk duken të tillë, sepse ata nuk e tregojnë veten të tillë, rrinë me ty e bisedojnë ndryshe nga ç’janë dhe në fund do të të gjykojnë. Nuk veprojnë dot ndryshe.
Meqenëse thoni se raste të ngjashme ka shumë, ç’rol ka media në këto ngjarje. A mendoni se “zgjidhja” e këtyre vajzave mund të shkojë në veshin e të tjerave e të veprojnë njësoj?
Jo, media nuk ka se si ta shpërfillë një ngjarje të këtyre përmasave. Mendoj që ka rol pozitiv në rast se e trajton çështjen siç duhet dhe në nivelin e zgjidhjes. Përderisa problemi është kaq i shtrirë në shoqëri, zgjidhja është ca e largët! Është e vërtetë sepse problemet ekonomike e kulturore, për fat të keq, i kanë rrënjët e thella dhe vështirë të rikuperohen.

(ma.ar/Panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: