Presidenti rus Vladimir Putin do duhet të presë për një kohë të gjatë për një falje nga gazetari i Fox News, shkruan CNN.

Gazetari i televizionit Fox News, Bill O’Reilly, refuzoi të kërkojë falje për përshkrimin e presidentit rus, Vladimir Putin, si “vrasës”.

“Administrata e Putinit në Moskë po kërkon nga unë, korrespondenti juaj modest, të kërkoj falje, pasi kam thënë se ‘Vladi është vrasës’. Po punoj në këtë drejtim, por kjo mund të marrë kohë, ndoshta deri në vitin 2023”, tha O’Reilly në programin e tij televiziv.

Bill O'Reilly

Kremlini tha të hënën se do që O’Reilly të kërkojë falje në lidhje me, siç u shpreh, komentet “e papranueshme” për presidentin rus.

Gazetari e ka quajtur Putinin “vrasës” duke intervistuar presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Në intervistën e transmetuar më 5 shkurt, gazetari i rrjetit FOX News, Bill O’Reilly, e pyeti Trumpin se a e respekton Putinin.

“Po e respektoj atë. Unë i respektoj shumë njerëz, por kjo nuk do të thotë se do të bashkohem me të. Ai është lider i vendit të tij. Them që është më mirë të jemi së bashku me Rusinë se sa të mos jemi, dhe nëse Rusia na ndihmon ne në luftën kundër ISIS, që është luftë madhore dhe nëse Rusia na ndihmon ne në luftën kundër terrorizmit islamik në gjithë botën, kjo është gjë e mirë. A do të bashkohem me të? Nuk kam ide”, tha Donald Trump.

Gazetari O’Reilly iu kundërvu duke thënë “megjithëse ai është vrasës, Putin është vrasës”.

Trump është përgjigjur: “Ka shumë vrasës. Ne kemi shumë vrasës. Mendoni se vendi ynë është aq i pafajshëm”, tha Donald Trump.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb