Policia e Krujës ka finalizuar një operacion të koduar “Black 2”, i cili çoi në arrestimin e një 31-vjeçari nga Lezha, i cili qarkullonte i armatosur me armë zjarri.
Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari u lokalizua dhe u ndalua në rrethrrotullimin e Rinasit nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, pas informacioneve operative për një person që lëvizte me armë.
Gjatë kontrollit të automjetit të tij, policia gjeti në një çantë dore një pistoletë me një krehër me municion luftarak. Arma dhe municioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
I arrestuari është shtetasi Ted Marku, 31 vjeç, banues në Lezhë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit”.
Hetimet vijojnë për të zbardhur nëse i arrestuari ka lidhje me ndonjë aktivitet tjetër kriminal apo persona të tjerë të përfshirë.
