*Jemi të gatshëm të bëjmë ç’është e mundur që zgjedhjet e ardhshme të jenë shembull i zhvillimit

*Qytetarët të mos kërkojnë azil, është i pamundur teknikisht

*Byroja Kombëtare e Hetimit e rëndësishme për të luftuar korrupsionin elitar. Të vendosur ta ngremë

TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi me Këshillin e Ministrave për zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Memorandumi është nënshkruar mes Ministrit të Punëve Brendshme, Saimir Tahiri dhe Kryetares së KQZ-së, Lefterie Luzi. Ministri Tahiri tha se marrëveshja i shërben zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe konfirmoi angazhimin e qeverisë për këtë qëllim.

“Sot nënshkruam një marrëveshje me KQZ për zgjedhje të ndershme, të lira në përmbushje të standardeve. Ky proces përmbyllet më 11 maj me afishimin e listave të zgjedhësve, por ecuria e procesit tregon se jemi në rrugën e duhur. Sëbashku me KQZ dhe OSBE-në ka filluar procesi intensiv i trajnimit të punonjësve të policisë. Qeveria është e angazhuar maksimalisht për të bërë ç’është e mundur që dita e zgjedhjeve të jetë dita e celebrimit të demokracisë dhe e së drejtës së shqiptarëve për të vendosur për fatin e tyre me votë. Jemi të gatshëm të bëjmë ç’është e mundur që zgjedhjet e ardhshme të jenë shembull i zhvillimit”, tha Tahiri.

Gjithashtu Ministri i Brendshëm tha se “është për tu përshëndetur angazhimi që ka pasur MPB me KQZ në hartimin paraprak të listave”. “Ne jemi plotësisht të gatshëm që të garantojmë standarde maksimale për zgjedhje të lira e të ndershme. Falënderoj kryetaren e KQZ-së, duke e garantuar që në të tillë rrugë do ecim në vijim”, tha Tahiri.

Për sa i përket rritjes së numrit të azilkërkuesve shqiptarë në vendet e BE-së, Tahiri pohoi problematikën, por tha se askush nuk do të mund të përfitojë azil, pasi është e pamundur. Tahiri bëri thirrje që qytetarët shqiptarë të mos braktisin vendin pasi kjo gjë do të ndikojë edhe në perceptimin e BE-së.

Tahiri u ka kërkuar ndjesë atyre qytetarëve që nuk janë lejuar të largohen pas rritjes së masave dhe kontrolleve në pikat kufitare. Ministri i Brendshëm ka folur edhe për Byronë Kombëtare të Hetimit, ngritja e së cilës u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Tahiri tha se Byroja Kombëtare e Hetimit është e rëndësishme për të luftuar korrupsionin elitar. “Jemi të vendosur të ngremë një institucion të tillë”, tha Tahiri.

Ndërkohë Kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi tha se vërtetë KQZ është organi më i lartë që menaxhon zgjedhjet, por nuk e bën e vetme. “Ishim këtu për të nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Këshillin e Ministrave. Menaxhimi i situatës është bërë ngushtë me Këshillin e Ministrave. Nënshkrimi i marrëveshjes e çon në standard më të lartë këtë bashkëpunim. Roli i policisë në procesin zgjedhor është shumë i konsoliduar”, tha Luzi.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb