Aktivisti Edison Likaj, në podiumin para Kryeministrisë ka renditur edhe një herë arsyet se pse prej 18 ditësh mijëra qytetarë janë derdhur në sheshe.
Protestuesi tha se janë aty për t’i thënë botës se ata duan dorëheqjen e kësaj qeverie dhe do të qëndrojnë derisa ata që e kanë sjellë vendin në këtë pikë të jenë pas hekurave. Po ashtu ai tha se kërkojnë hetimin e kryeministrit Edi Rama.
“Prej ditësh ne po i themi botës se kërkojmë dorëheqjen e kësaj qeverie. Do të jemi këtu derisa ata që e kanë sjellë vendin në këtë pikë të jenë pas hekurave.
I kërkojmë SPAK-ut hetimin e kryeministrit.
Jemi më të vendosur se ditët e para, ai do të largohet”!
Protestuesi
Sot ka ndodhur një ngjarje e madhe që lidhet me protestën. Në Parlamentin Europian është folur qartë se ligji për zonat e mbrojtura duhet të amendohet, duhet të kthehet mbrapsht.
Dhe kjo nuk është një fitore e vogël, nuk është rastësi, as dhuratë që na vjen neve. Kjo është ajo kërkesë që kemi bërë prej ditës së parë dhe arritëm fitore.
Ama ne e dimë që nuk mjaftohemi dhe nuk kënaqemi me kaq. Ne këtu, më të vërtetë, kemi dalë për atë ligj, për Zvërnecin, për Rrjollin në ditët e para, por prej ditësh duhet t’i themi të gjithë botës që në këtë shesh kërkohet dorëheqja e kryeministrit. “Dorëheqje! Dorëheqje! Dorëheqje!”
Prandaj, kjo fitore le të jetë vetëm hapi i parë drejt fitores së madhe dhe jo fitore në vetvete. Ne do të jemi këtu derisa ata që e kanë katandisur vendin në këtë pikë të përfundojnë prapa hekurave.
Përsëri, si përditë, u kërkojmë organeve të drejtësisë hetim për kryeministrin. Rama në burg, Berisha në burg. Siç e thamë edhe në fillim ne jemi këtu më të vendosur se më parë, ne do të qëndrojmë, nuk dorëzohemi. Ai do iki.
