*Intervistë me Menaxherin e Përgjithshëm të Philip Morris për Shqipërinë
Në situatën e papritur ku u gjend mbarë njerëzimi, pak muaj më parë, kompanitë dhe bizneset riformatuan parashikimet e tyre. Përballë sfidave të reja, zgjidhjeve të shpejta e të kushtëzuara, shumë prej tyre ja dolën të ridimensionohen, të rinjohin vlerat e përgjumura nga normaliteti dhe të jenë sot në pozita të favorshme.
Menaxheri i Përgjithshëm për Shqipërinë i Philip Morris, Radmilo Vlacic, tregon në këtë intervistë sesi u menaxhua kjo krizë globale në Philip Morris; si ndikon tregu ilegal në ekonominë e vendit dhe sa e rëndësishme është që në kohë të tilla kompanitë e mëdha të mbështesin komunitetet ku operojnë.

Radmilo Vlacic
Radmilo Vlacic

Në një situatë kur nuk kishte kohë për përgatitje, kompanitë duhet të përshtateshin shpejt me kushtet e reja të punës. Sa e mundur është kjo në një korporatë shumëkombëshe?

Kjo situatë ishte një provë e vërtetë për kompaninë Philip Morris, e cila ka punuar për vite me radhë për t’u përshtatur shpejt dhe lehtë me ndryshimet. Më shumë se një dekadë më parë, ne ndryshuam rrënjësisht produktin tonë, vizionin tonë për të ardhmen, modelin e biznesit dhe mënyrën e punës. Por COVID-19 ka përshpejtuar ndryshimet në biznes më shumë se çdo vendim menaxherial deri më tani, por me siguri për shkak të asaj përgatitjeje afatgjatë, ne kemi arritur të adaptohemi. E shpejtë, por jo e lehtë – kjo ishte dhe është një luftë e rëndësishme për sigurinë e secilit prej punonjësve tanë, leje lëvizjeje, për çdo javë të re pune, për ruajtjen e tregut, për të ruajtur çdo konsumator që tashmë ka bërë një zgjedhje më të mirë duke kaluar nga cigaret në produkte të provuara shkencërisht më pak të dëmshme. Në këtë situate rikthimi i tyre nga një alternativë më e mirë tek cigaret, do të ishte një humbje si për vet konsumatorin, ashtu dhe për shëndetin publik.

Kur prisni që situata të kthehet në normalitet?
Shpresoj kurrë. Pse do të dëshironim që kompanitë të zhyten në normalitet, në mënyrë që ndonjë krizë e re t’i ulte përsëri në gjunjë? A duam të vazhdojmë të besojmë dhe të thërrasim shkencën vetëm kur jemi në një problem nga i cili është e vështirë të shohësh një rrugëdalje? Besoj se kjo pandemi na ka rikthyer nga qasja e ftohtë “B2B” (business to business) në një mënyrë funksionimi shumë më të ngushtë “H2H” (Human to human) dhe do të ishte mirë të qëndronte kështu. Ndryshimet në zakonet e konsumatorit gjithashtu duhet të shihen nga një kënd pozitiv. Para krizës, hynim në dyqan dhe vendosnim në shportë markat që kemi blerë prej vitesh. Tani mendojmë më shumë, lexojmë etiketa, rishqyrtojmë zgjedhjet e mëparshme, sepse nevoja për t’u ndier më të sigurt dhe më të mbrojtur është më e fortë se kurrë.

Sidoqoftë, ekziston një frikë e madhe për pasojat e mundshme në të ashtuquajturën “Dita pas krizës”. Cilat janë shqetësimet tuaja?
Një pikëpamje optimiste për të ardhmen nuk do të thotë që ne nuk jemi të vetëdijshëm për trazirat që shtrihen përpara. Pas pandemisë së virusit, ekonomia mund të “sëmuret” nga rritja e tregut të zi. Simptomat e para janë tashmë të dukshme. Gjatë kësaj kohe, jo vetëm produktet e akcizës, por edhe pajisjet më të nevojshme mjekësore dhe mbrojtëse për momentin, kanë hyrë në zonën gri, gjë që na tregon qartë se tregtarët e paligjshëm vendosin fitimin e tyre mbi çdo gjë edhe në këtë situatë. Madje shumë prej tyre nuk marrin parasysh as rrezikshmërinë që vjen nga tregtimi i produkteve të pakontrolluara, e të prodhuara në kushte jo higjenike, duke u bërë vatra infeksionesh për përdoruesit. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që sa më shpejt që të jetë e mundur të rivendosen rregullat e lojës që bizneset e ligjshme të kenë mundësinë e rikuperimit, pa peshën shtesë të tregut të paligjshëm, i cili do të prishë bilancet e tyre, ndikojë në buxhetin e shtetit dhe shëndetësi.

Disa masa të rëndësishme ekonomike janë miratuar në nivelin global dhe kombëtar, a besoni se këto masa do t’ju ndihmojnë?
Sigurisht, do të na ndihmojnë, por në mënyrë të tërthortë – sa më shpejt të rimëkëmbet ekonomia, aq më shpejt do të stabilizohet punësimi, do të rritet fuqia blerëse, do të ulet tregu i paligjshëm. Ne nuk do të marrim ndihmë direkte në formën e subvencioneve shtetërore. Kjo nuk do të thotë që nuk kemi ndjerë goditjen nën lëkurën tonë, thjesht do të thotë që për momentin ne jemi ende të shëndetshëm financiarisht. Madje në këtë kohë të vështirë ne ndihmuam përmes dhurimit të pajisjeve mjekësore, dhe duke hequr dorë nga përdorimi i masave stimuluese ekonomike në mënyrë që të përfitojnë ata që kanë vërtet nevojë në këtë moment. Unë besoj se forca e kompanisë reflektohet në sa i besueshëm dhe mbështetës mund të jetë për komunitetin në të cilin operon, dhe ne i kemi të dyja si para, ashtu dhe në “ditën pas” krizës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb