TIRANË

Deputeti i PD-së Tritan Shehu deklaron se bashkëpunimi BE-Ballkani Perëndimor fatmirësisht po “varros” Ballkanin e Hapur.

Shehu shkruan se vetëm projektet e BE me Brukselin në “krye te tavolinës” mund të mbledhin të gjitha vendet tona si të barabartë midis të barabartëve.

Sipas tij, “Ballkani i hapur” si një nisme e Vuçiç për të vendosur hegjemoninë serbe në Rajon, është veçse një projekt përjashtues e përçarës.

POSTIMI I PLOTË
Bashkëpunimi BE-Ballkani Perëndimor fatmirësisht po “varros” Ballkanin e Hapur.
Është për t’u përshëndetur Samiti BE-Ballkani Perëndimor, që do të mbahet më 6 dhjetor në Tiranë.
Mbas dakordësisë së vendeve në takimin e para rendes nën drejtimin e Brukselit, në zhvillim të Procesit të Berlinit, për njohjen e diplomave, lëvizjet pa viza, etj midis 6 vendeve tona, takimi i Dhjetorit do të jetë një hap tjetër përpara në rrugën e bashkëpunimit Rajonal.

Vetëm projektet e BE me Brukselin në “krye te tavolinës” mund të mbledhin të gjitha vendet tona si të barabartë midis të barabartëve.

Për të forcuar kështu bashkëpunimin e vërtetë Rajonal dhe implementimin e standardeve të BE midis nesh, të domosdoshme këto për integrimin europian.

Ndërsa “Ballkani i hapur” si një nisme e Vuçiç për të vendosur hegjemoninë serbe në Rajon, është veçse një projekt përjashtues e përçarës.

Është një projekt, që shikon e kërkon të na drejtojë nga Lindja e jo nga Perëndimi. Është një projekt, që kërkon të sfumojë edhe pavarësinë e Kosovës.

Fundi tashmë i paralajmëruar i tij, përbën një zhvillim pozitiv për bashkëpunimin real, stabilitetin, demokracinë e europianizimin e Rajonit.

Rajonit tonë i duhen e mund të funksionojnë projektet e BE, të cilat sigurojnë bashkëpunimin midis nesh, si dhe përputhen me aspiratën tone europiane.

Shehu
Shehu

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb