Forcat ruse sulmuan burimet e energjisë në Ukrainë ditën e djeshme në atë që raportohet se është një tentativë e qëllimshme për të lënë vendin në të ftohtë këtë dimër.

Presidenti i Ukrainës , Volodymyr Zelensky tha se një valë sulmesh raketore në qytetet ukrainase nga forcat ruse kishin shënjestruar burimet me energji për të shkaktuar sa më shumë dëme për civilët.

Rusia bombardoi ashpër Kievin qendror, Dnipro, Zaporizhzhia dhe Lviv në disa nga shpërthimet më intensive që goditën Ukrainën që nga ditët e para të luftës.

Raportet paraprake sugjerojnë se të paktën 19 persona humbën jetën dhe rreth 90 u plagosën, pasi fëmijët në rrugën e tyre për në shkollë u dërguan me vrap për strehim.

Në një deklaratë, Zelensky tha: Mëngjesi është i vështirë. Kemi të bëjmë me terroristë. Dhjetra raketa, “Shahids” iranianë. Ata synojnë të godasin objektet energjetike në të gjithë vendin. Ata duan të shkaktojnë panik dhe kaos duke shkatërruar sistemin tonë energjetik.

Pavarësisht pretendimeve të Rusisë se ka sulmuar objektiva strategjikë ushtarakë, shpërthimet rreth katër qyteteve kyçe lanë pjesë të mëdha të Ukrainës me ndërprerje dhe mungesë uji.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb