Pas akuzave të djeshme nga kryetari i PD-së, Sali Berisha në drejtim të kryebashkiakut të Kamzës, Rakip Suli, vjen një reagim nga ky i fundit.

Berisha akuzoi Sulin duke shtuar se; “Rakipi ka lindur me dorë. Sa herë shkon në fshat vetë, të nesërmen numëronin kuajt. Edhe në emigracion, pa dorë nuk ka ndenjur, ndërsa këtu i papërmbajtur.”.

Nga ana tjetër, Suli përmes një reagimi në ‘Facebook’, ftoi Berishën që të kandidojë vetë në Kamzë dhe të shoh rezultatin poshtërues që do të marrë. Suli iu kundërpërgjigj akuzave të demokratit se në Kamzë shkon vetëm për miting.

REAGIMI I SULIT
Sali!

Nuk di pse erdhe në Kamëz përsëri shpërtheve me mllef duke çliruar gjirizin e pistë të psikikës tënde të sëmurë.

Dua të të ftoj të kandidosh vetë në Kamëz e ta shikoni se çfare rezultati poshtrues do marrësh.

Do të të krijoja kushte që me karrocë për të moshuarit të vije dhe të vizitoje objektet arsimore që janë bërë në Kamëz, të shikoje cilësinë dhe kushtet e fëmijëve në shkolla kopshte e çerdhe dhe ta krahasoje me modelin tënd më të shëmtuar 30 vjeçar.

Ka mbi 30 vjet që vjen në Kamëz vetëm për mitingje.
Në vetëm 3 vite Kryeministri Edi Rama ka ardhur plot 28 herë për të parë kantierët e puneve publike në këtë Bashki.

Sali!

Unë kam respekt për të gjithë refugjatët që sakrifikojnë për vete e familjet e tyre. Dua të them se unë asnjë ditë nuk kam qenë refugjat as në Greqi dhe askund tjetër. Gjithçka e kam arritur vetëm me punë dhe ndershmëri dhe jo me poste e pushtet si ju. Ta cilësoj që jam krenar për veten dhe familjen time.

Unë vij nga një zonë e Dibrës me shumë tradita dhe me histori të lavdishme. Jam kryelartë për zonën nga vij dhe jam i lumtur që i kam përfaqsuar denjësisht në udhëtimin tim qoftë privat qoftë publik.

Pyet mirë Sali, mos i lësho fjalët si lopa bajgën. Sa për kuajt që trazojnë mendjen tënde të sëmurë dhe gojën tënde të pistë, mund të të them se jam kalorës dinjitoz i Çidhnës e Dibrës prej nga vij dhe duelet e mia i kam fituar gjithmonë. Mbase kjo jua trazon psiqikën e sëmurë.

Unë po vazhdoj me përkushtim punët publike në shërbim të qytetarëve të Kamzës. Ti Sali, vazhdo pofesionin që di të bësh më mirë: sharësin e lehësin e padejë që një burri malësie nuk i shkon për shtat e aq më tepër një ish Kryeministri e ish Presidenti.

Në fakt më vjen turp edhe të të përgjigjem. Turpi të mbuloftë!

Shihemi në 14 Maj!

DEKLARATA DJE E BERISHES
Të mobilizoni me potencialin tuaj, në mbështetje të zotit Arjan Hoxha. Kamza, se tradhtoi kurrë Partinë Demokratike vetëm në rastet kur ajo e tradhtoi pabesisht atë. Ne do marrim pjesë, do bëjmë gjithçka për fitoren në këtë bashki. Ju garantoj, se do ketë një ndryshim të madh. Jeni dëshmitar për kujdesin e treguar më përpara në këtë qytet, gjatë periudhës së qeverisë së PD me kryebashkiak Xhelal Mziun.

Forcat tona do shumëfishohen, në mënyrë që qyteti i Kamzës të bëhet një nga qytetet më të zhvilluara nga të gjitha qytetet. Modeli që sot qeveris në Kamzë, është modeli më i shëmtuar, më çnjerëzor që ka pasur Kamza ndër vite. Është modeli i “Erion Betonit”. Unë e di që njëri e ka Erion, ndërsa tjetra e ka Rakip,

Rakipi ka lindur me dorë. Sa herë shkon në fshat vetë, të nesërmen numëronin kuajt. Edhe në emigracion, pa dorë nuk ka ndenjur, ndërsa këtu i papërmbajtur. Këtu u fut rruspat shkollave, njësoj si Erion Betoni. Shkollave pa asnjë problem. Shkollave në të cilat, prej tre vitesh zhvillohet normalisht mësimi.

Pse këto rruspa? Sepse do t’iu ndërtojë me 4.5 – 5 milionë dollarë. Do të vjedhë 4/5 e shpenzimeve në çdo shkollë. Riktheu turnet e treta në arsim. Në vitin 2005, arsimi këtu ishte simbolik. Me 3 turne dhe e kuptoni vetë, turni i tretë ishte shkel e shko. Peshqeshi i Rakipit, bëri që këtu të ktheheshin turnet e treta. Më 14 maj, bëhu gati, dorëzo çelësat dhe të pret ai fat që i ke përgatitur vetes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb