Belind Këlliçi, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me librin “Albanian Files”, duke e cilësuar atë si një dëshmi të korrupsionit dhe kapjes së shtetit në Shqipëri.
Këlliçi kundërshtoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili e ka cilësuar librin si një përmbledhje “trillesh dhe shakash arkitektësh”, duke thënë se botimi pasqyron “të vërtetën e Shqipërisë në këto vite”.
Sipas tij, në libër paraqiten dëshmi që pretendojnë se kryeministri ka pasur rol në përzgjedhjen e projekteve të kullave dhe të arkitektëve, ndërsa financimi i disa prej tyre, sipas Këlliçit, lidhet me para që burojnë nga trafiku i drogës.
Ai iu referua edhe hetimeve të fundit të SPAK ndaj disa ndërtuesve dhe personave të dyshuar për trafik droge, duke pretenduar se këto zhvillime hedhin dritë mbi mënyrën e financimit të projekteve të mëdha të ndërtimit.
Në reagimin e tij, Këlliçi pretendon gjithashtu se disa projekte janë hartuar për zona të mbrojtura vite përpara ndryshimeve ligjore që lejuan ndërtimet në ato territore, duke e cilësuar këtë si provë të kapjes së shtetit dhe korrupsionit në nivelet më të larta.
Ai i bëri thirrje SPAK-ut të hetojë pretendimet e ngritura në librin “Albanian Files”, duke argumentuar se, sipas tij, aty gjenden prova që kërkojnë verifikim nga organet e drejtësisë.
Reagimi i Belind Këlliçit në Facebook
“Albanian Files”, gjurmët e një krimi dhe korrupsioni monstruoz!
“Albanian Files” nuk është një libër me trille dhe shaka arkitektësh siç tha Edi Rama. Eshtë e vërteta e Shqipërisë në këto vite.
Kryeministri në fakt ja ka tejkaluar dëshirën holandezit de Graaf që kërkonte ta shihte mbret. Se dhe një mbret ka disa kufizime e ndalesa. Edi Rama sillet si pronar absolut i Shqipërisë. Ai përcakton vendin ku do ndërtohen kullat, porosit projektet tek arkitektët e rrethit të tij dhe më tej, paratë vijnë nga trafiku i drogës.
Shihni rastin e dy kullave më të larta në vend pas Pallatit të Kulturës, një ndërtim që ka nisur. Në librin “Albanian Files”, vjen dëshmia e arkitektit nga Kili që thirret në telefon nga Edi Rama për ta bërë projektin. Ai vjen nga ana tjetër e botës dhe realizon konceptin.
Në aksionet e fundit të SPAK, me disa ndërtues të proceduar dhe disa prej trafikantëve më të mëdhenj të drogës që fusnin paratë në këto kantiere, është kuptuar se si këto kulla të Edi Ramës gjenin financimin.
Si mund të jetë ndryshe një narkoshtet?!
Dhe Edi Rama është direkt i implikuar. Mjaftojnë dëshmitë e arkitektëve.
Por ka edhe më shumë. Tek “Albanian Files” del se disa projekte janë porositur dhe janë hartuar dhe janë destinuar në zona të mbrojtura, dy ose 3 vjet para se të bëheshin ndryshimet ligjore për t’I hapur rrugën ndërtimit aty ku ishte e ndaluar.
Del qartë se miqtë e Ramës e kanë ditur se ligji do ndryshohej. Kanë pasur garanci absolute derisa kanë shpenzuar jo pak para për arkitektët e shtrenjtë të Ramës.
Kjo është provë e gjallë e kapjes së shtetit, pasi kemi kalim të ligjit, të ndryshimeve që u bënë për hequr mbrojtjen nga zonat më të bukura të vendit, me porosi, për interes të një grupi të caktuar njerëzish. Ky është korrupsion i nivelit më të lartë.
Këtu nuk ka asgjë intelektuale që do t’i kërkonte kohë e mund SPAK-ut. Eshtë korrupsion haptazi dhe i provuar.
Mjafton libri “Albanian Files”. Aty janë gjurmët e një prej krimeve më të mëdha që kanë ndodhur në vend, me parathënie nga Edi Rama.
