I ftuar në studion e News24, politologu Ermal Hasimja ka analizuar situatën politike në vend dhe protestat masive që kanë përfshirë Tiranën gjatë ditëve të fundit kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, tubimet e fundit kanë pësuar një ndryshim rrënjësor nga fillesat e tyre, duke u kthyer në një lëvizje shumë më solide.
Politologu vuri re se ka një lloj kondensimi të kritikës ndaj qeverisë, duke i kërkuar asaj dorëheqjen. Ai shtoi se kjo protestë nuk është e njëjtë me të parën, pasi është fuqizuar, është bërë më serioze dhe është amplifikuar sepse ka marrë mbështetje si në opinionin vendas, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Sipas tij, reagimet e fundit publike të kreut të qeverisë dëshmojnë për një shqetësim të brendshëm përballë revoltës qytetare në shesh.
“Fakti që Rama ka kaluar në ato shprehjet e tij si shoëman, tregon se nuk është i qetë në rolin e tij si kryeministër. Ideja që ka Rama për dialogun është të ulen dhe ai të bindë protestuesit. Por në rastin konkret ata njerëz në shesh nuk presin të binden dhe nuk janë aty për t’u bindur dhe nuk janë aty vetëm për flamengot, por për 100 arsye. Njerëzit kanë dalë për 100 arsye aty në protestë. Këta njerëz nuk ka si t’i bindë Rama, është e pamundur,” u shpreh Hasimja.
Më tej, politologu shpjegoi edhe atë që ai e quan një perceptim të gabuar të kryeministrit, i cili krijohet nga mjediset e kontrolluara politike ku ai merr duartrokitje.
“Kam përshtypje se ka një perceptim të gabuar në vetvete Rama se kur shkojnë në një mjedis të mbushur me njerëz që i votojnë se u varet jeta nga ai, shikon duartrokitjet dhe fillon e mendon sikur të gjithë njerëzit në këtë vend e duan dhe e respektojnë. Është iluzion shumë i rrezikshëm.”
Në mbyllje të analizës së tij, Hasimja parashikoi se qeveria do ta ketë të vështirë t’i bëjë ballë kësaj vale tubimesh për shkak të vendosmërisë së qytetarëve. Ai theksoi se nuk mendon se kryeministri do të rezistojë aq shumë, pasi rezistenca në shesh po zgjat dhe po zmadhohet, duke treguar se ata njerëz e kanë vërtet seriozisht.
