Kryeministri Edi Rama deklaroi në konferencën për media se listat nuk mund të jenë të mbyllura në më shumë se 1/3, duke shtuar me rëndësi është që të garantohet barazia gjinore.

Mes të tjerash, kryeministri theksoi se shumica nuk ishte e detyruar të bënte marrëveshje me opozitën jashtëparlamentare, por u bë për të dhënë garanci të plota në proces.

“Ne kemi vendosur një tavan, përtej të cilit nuk mund të shkohet. Pra, listat nuk mund të jenë të mbyllura në më shumë se 1/3. Por kjo nuk do të thotë se listat nuk mund të jenë të hapura edhe 100%. Ama ka një gjë, duke garantuar barazinë gjinore. Në Shqipërinë e sotme nuk jemi ende në Finlandën, apo Danimarkën e sotme. Jemi në diskutim, do shohim sim und të garantojmë përfaqësimin gjinor, pa i hapur më shumë listat nga sa parashikohet. Në marrëveshje kemi një kusht lidhur me kuotat gjinore 1 në 3. Nëse i vë 1 në 3 në një listë të hapur është e qartë që do të humbasim në përfaqësim me gratë, kur në fakt duhet të kemi një balancë. Kodi mund të ndryshohet sërish pas zgjedhjeve, me Lulzim Bashën, që mund të jetë dhe kryeministër.

Marrëveshja me opozitën jashtëparlamentare nuk ishte fare detyrim, ne e bëmë jo për zemërgjerësi, por për vetëdije. Marrëveshja u bë për të dhënë gjithçka për të pasur garanci të plota në proces, por të presësh të japë dakordësinë Lulzim Basha, është si të presësh Godonë. PS është ajo që ka lëshuar më shumë, por jo të lëshojmë duke iu besuar drejtimin atyre që kanë ikur nga Parlamenti. Ata morën pjesë në proces, tani të përgatiten ta provojnë në zgjedhje se ata janë ata që pretendojnë. Nëse marrin votën e popullit, do ndryshojmë pozicion. Unë dhe PS nuk merremi peng nga askush në globin që rrotullohet, as nuk shantazhohemi e i nënshtrohemi asnjë ultimatum nga askush”, u shpreh kryeministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb