Në intervistën e tij në “Opinion”, Kryeministri Rama ka prekur edhe raportet me Presidentin e vendit Ilir Meta, por ka ndarë dhe opinionet pwr ish-kryeministrin Sali Berisha dhe liderin e opozitës Lulzim Basha.

“Iliri është dy në një, shumë i dyzuar”
I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu për ecurinë e çuditshme të marrëdhënieve me Presidentin, Rama e cilësoi Metën si njeri të dyzuar. “Iliri është dy në një”, tha Rama, ndërsa kujtoi  se si e njihte Metën qenë kohën kur frekuentonte palestrën e shtangës.

Pjesë nga intervista
Fevziu: Si ka qenë raporti juaj me Ilir Metën? Nuk dua një përgjigje nisur nga dominimi i momentit. Jeni dashur shumë, jeni luftuar shumë, jeni njohur para viteve 90…
Rama: Para viteve ‘90 Iliri stërvitej tek palestra e shtangës, tek të rinjtë. Unë shkoja atje se bëja ushtrime force dhe isha shumë i lidhur në atë kohë me Agron Haxhihysenin, Aleksandër Kondon dhe merrja prej tyre ide për programin e forcës. Iliri më kujtohet, ishte në një kënd atje që stërvitej. Por nuk kishim ndonjë njohje më shumë se kaq.

Fevziu: Si mund ta përkufizosh marrëdhënien tuaj shumë të çuditshme me të?
Rama: Iliri është dy në një. Nuk është dy njerëz të ndryshëm në dy periudha të ndryshme historike, por është dy njerëz në një në çdo moment, është njeri shumë i dyzuar. Dhe ajo që unë them duket si figurë letrare, por është fatkeqësisht e vërtetë në këtë rast. Por Iliri është njeri me hënë. Është shumë i pasigurt brenda vetes dhe kjo e bën të paqëndrueshëm, por në thelb nuk kam asnjë gjë me të.

Fevziu: Merreshit vesh?
Rama: O jam marr vesh shkëlqyeshëm, o nuk jam marr vesh fare, nuk kam pas asnjë periudhë kur as jam marr vesh e as nuk jam marr vesh. O jam marr vesh shkëlqyeshëm, o nuk jam marr vesh. Ai është dy veta. Varet se cilin Ilir të bie radha të kesh përballë në atë moment kur ke një çështje për të trajtuar.

“Berisha, lidership karizmatik”
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar ish-Kryeministrin Berisha një lidership karizmatik, që ka arritur të jetë dominant në politikë.

Rama tha se Berisha është shumë i aftë për të shkuar drejt objektivit.

Fevziu: Po me Berishën që e keni patur konstante përplasjen, çfarë mendimi keni, jo duke e parë si kundërshtar politik?
Rama: Saliu është tipiku i pushtetit si qëllim, jo si mjet për të arrit qëllimin. Kjo e ka penguar jashtëzakonisht shumë…

Fevziu: A i njihni ndonjë gjë pozitive Berishës?
Rama: Në aspektin e punëve, vështirë. Në aspektin e metodës, vështirë. Në aspektin e lidershipit, po.

Fevziu: Ç’do me thënë në aspektin e lidershipit?
Rama: Ka qenë dhe është…tani më mirë të mos flasin se është në rënie të lirë, por karizmatik, shumë i vendosur dhe mbi të gjitha shumë i aftë për të shkuar drejt objektivit dhe për të mos u hallakatur gjatë rrugës.

Pra është shumë më tepër strategjik se sa taktik, në aspektin e natyrës së lidershipit dhe kjo e ka bërë që të jetë dominant në një periudhë të gjatë në partinë e tij, por të jetë dominant edhe në këtë periudhë të historisë e madje të ketë dominancë edhe kur nuk ka patur pushtet.

“Basha nuk është lider, nuk ka karakter”
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar Lulzim Bashën si një politikan që nuk është lider. Rama tha nw “Opinion” se Bashës i mungon karakteri i lidershipit.

Fevziu: Më bën përshtypje, ndërkohë që ju identifikoni Berishën apo Metën si problem të opozitës së sotme, pothuaj gjithmonë kurseni Bashën?
Rama: Nuk është se e kursej. Hiri i së vërtetës do të thuhet. Mund ta diskutosh gjerë e gjatë karakterin e lidershipit të Saliut, karakterin e lidershipit të Nanos. Mund të diskutosh jo aq gjerë dhe gjatë se është më e thjeshtë, por gjithsesi mund ta diskutosh karakterin e lidershipit të Ilir Metës, që gjithsesi nuk mund të krahasohet me këta dy të tjerët për nga pikëpamja e kapaciteteve të lidershipit, po ka stof politik. Lulzim Basha nuk është lider.

Fevziu: Sepse nuk ka fituar akoma zgjedhjet.
Rama: Nuk ka lidhje me fitoren e zgjedhjeve. Lulzim Basha është një drejtues pa karakter. Nuk ka karakter, si të them. Kjo tryezë ka karakter, ky abazhur ka karakter, ky mermer këtu ka karakter, ndërkohë që ajo është një lloj paluzeje, që nuk di merr formën, nuk di. Se ka politikanë që marrin formën e vazos gjithmonë, por nuk janë lider. Nuk ka lider që merr formën e vazos.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb