Protesta e 31-të qytetare për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë është shoqëruar me deklarata të forta nga organizatorët, të cilët e cilësuan tubimin si një tjetër fitore të protestuesve përballë, sipas tyre, provokimeve të policisë.

Njëri prej organizatorëve, Edison Lika deklaroi se, pavarësisht tensioneve të krijuara gjatë protestës para Kuvendit, qytetarët nuk ranë pre e provokimeve dhe ruajtën karakterin paqësor të tubimit.

“Sot kemi arritur një tjetër fitore përballë policisë kriminale të Ramës. Kjo protestë, më e bukura në 36 vite, as sot nuk ra pre e provokimeve të policisë. Pavarësisht se tentuan disa herë të na provokonin, ne nuk ramë pre derisa u detyruan të na sulmojnë e më pas ulën kokën. E kuptuan që kjo protestë shënon fundin e tyre. Ju erdhi fundi!”, tha ai.

Ai iu referua edhe zhvillimeve në Kuvend, duke deklaruar se deputetët e shumicës iu shmangën përballjes me qytetarët.

“E patë si u fshehën në Kuvend, ndiheshin si minj në çark. Janë të zgjedhurit e krimit dhe oligarkëve, jo tanët.”

Në përfundim të fjalës së tij, organizatori theksoi se protestuesit dëshmuan edhe një herë se do të vijojnë rezistencën paqësore.

“Sot ne rezistuam përsëri paqësisht dhe u treguam se jemi më të drejtë e më të fortë se ata”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb