TIRANË

Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj foli në emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço, në News24, për procesin e rindërtimit, duke thënë se brenda muajit shtator do të ketë mbaruar sajti i parë.

Zv.kryeministri Ahmetaj u shpreh se rindërtimi ka ecur shumë mirë në të gjitha zonat, ndërsa shtoi se shtëpitë janë gati për 524 familje në Laç, por sipas tij, pritet që të bëhet dhe rruga e përroi për t’i futur më pas familjet brenda, raporton “BalkanWeb”.

Ndërsa, duke folur për rritjen e çmimit të bukës, numri dy i qeverisë “Rama 3” u shpreh se ai është i përballueshëm dhe është rritur, për shkak të rritjes së çmimit të grurit të tregjet ndërkombëtare.

Pjesë nga intervista:
Kur do t’i dorëzoni celësat e banesave në Laç?
Banesat janë mbaruar. Bashkua pritet të bëjë procedurën e shortimit, pra do të hedhë short. Nëse janë një numër i caktuar qytetarët që do të hyjnë aty, janë 524 familje, sigurisht bëhet pjesa e parë dhe pjesa tjetër hidhet me short, në mënyrë që të mos thonë që u dhanë shtëpitë me njohje. Shtëpitë kanë mbaruar nga kompania turke. Të gjithë marrin bonus qiraje. Vetëm dje Këshilli i Ministrave ka autorizuar një 30 milionë dollarë tjetër për Fondin e Zhvillimit, në mënyrë që të ecin punët. Shtëpitë kanë mbaruar, por do të bëhet gati pjesa e rrugës dhe përroit. Kryeministri nguli këmbë që ky përrua të rregullohej, pasi të gjithë e njihnin si përroi famëkeq i Laçit. Laçi është bërë realisht nga e para.

Përveç kësaj, ne jemi duke ndërtuar diku te 20 pallate me buxhetin e shtetit. këto janë përtej financimit turk. Rindërtimi ka ecur jashtëzakonisht shumë shpejt në Manëz, po ashtu edhe në Thumanë, ku pamja është emocionuese. Durrësi ka ecur mirë, kemi filluar tashmë edhe në Spitallë nga Abu Dabi. Kavaja thuajse ka mbaruar, po ashtu edhe te “5 Maji”, shumë shpejt do të fillojë puna edhe në Kombinat. Fatmirësisht nuk na mungojnë mjetet financiare, qoftë për Bashkinë e Tiranës, qoftë për Fondin Monetar të Zhvillimit. Besoj se një nga sajtet do të përfundojë diku te mesi i shtatorit.

6 miliardë lekë ka qenë injektimi për vitin 2022 që është bërë për tërmetin, do të ketë ndryshim?
Jo, është shtuar, ne do të injektojmë rreth 15 miliardë.

Si e komentoni rritjen e çmimit të bukës?
Po ta shikoni llogarinë e detajuar të rritjes së çmimit të miellit dhe atë të bukës deri tani çmimi është i përballueshëm në një rritje 7-10%. E gjithë përllogaritja që kemi bërë ne është në këtë përqindje. Në parim praktikisht ka ardhur për shkak të rritjes së çmimit të grurit të tregjet ndërkombëtare. Rusia, një nga eksportuesit më të mëdhenj ka rritur çmimin e prodhimit të grurit. Është hera e 3-të në 8 vite që ndodh një gjë e tillë. Çmimet në një periudhë kohore rreth 7-8 muaj reflektohen në tregun e brendshëm. Ne po vazhdojmë ta monitorojmë dhe do të kemi përgjigje për këtë. Dje me porosi të kryeministrit kam pasur një takim me ministren e Financës dhe qeveria do të ulet dhe do të marrë vendime. Nuk do të ketë çmime të detyruara. Do të shkatërronin qytetarët dhe ekonominë. Ne jemi në një fazë ku rritjet janë në ato nivele që edhe sipërmarrja e absorbon.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb