Analisti Fatos Lubonja foli në rubrikën “Opinion”, në News24, për daljen e opozitës nga parlamenti dhe marrëdhëniet Meta-Rama.

Lubonja tha se opozita doli nga parlamenti për sensibilizim, ndërsa Meta dhe Rama duket se po përgatiten për një tjetër pazar pushteti.

Duke komentuar deklaratën e fundit të Presidentit Meta për çështjen e Ardian Dvoranit, Lubonja theksoi se kjo deklaratë të linte të dyshoje shumë, ndonëse sipas tij, nuk dihet ende se për çfarë pazari bëhet fjalë.

Për Lubonjën, kjo klasë politike bën pazare për interesa të tyre, duke shtuar se nëse do të ketë vërtet një pazar, Meta do të jetë i humburi.

Pjesë nga intervista:
Nëse PD do të ishte sot në Parlament, a do të mund Rama të ndërmerrte këto veprime, a do ta kishte pra këtë pushtet që ka apo do të ishte më i dobët?
Kjo të con te pyetja që bënë mirë apo jo që dolën nga Parlamenti ata të PD. U duk se u bë një aksion për sensibilizim, veçanërisht të ndërkombëtarëve, por kjo dalje pati anën e rrezikshme se humbisje platformat, ku mund të komunikoje më mirë. E dyta është se sa duke u bërë jashtëparlamentar ke fuqi ti të bësh opozitë. Mendoj se mbështetja që i dhanë Ramës ndërkombëtarët, për interesat e tyre, e cuan peshoren në favor të Ramës dhe të idesë se nuk duhet të kishin dalë nga Parlamenti këta. Strategjia e Ramës është kontrollim, blerje, eliminim, marrëveshje, pazar, dhe do të vazhdojë të jetë kjo.

Duket se kanë ndryshuar raportet mes Metës dhe Ramës, çfarë mund të ketë ndodhur?
Aprovimi i ndryshimeve të Kodit Penal ishte jokushtetues. Kjo është një metodë shtrënguese e Ramës, që do të ketë pasoja edhe në të ardhmen. Unë pashë dhe një reagim të fundit të Metës për çështjen Dvorani, që të linte të dyshoje shumë, sigurisht nuk dihet cfarë pazaresh kanë, por që dihet se nuk janë për interesa të Kushtetutës, por për pazare që ka bërë klasa jonë politike historikisht, për t’i shërbyer bizneseve të tyre, biznesit të pushtetit.

Po heshtja e Kryemadhit…
Vërtet Kryemadhi s’ka reaguar, por Petrit Vasili ka folur shpesh dhe ne do ta marrim si reagim të partisë. E kam të vështirë të bëj parashikim, sepse këta janë të paparashikueshëm. E dimë çfarë ka thënë Rama për Metën, dhe pastaj shkoi e hëngri ngjala me të. Mund të pritet çdo gjë nga kjo klasë politike, sidomos kur vihen në lojë interest e pushtetit. Gjithsesi gjykoj se projekti i Ramës për ta pasur gjithë tepsinë vetë, për të mos e ndarë me Metën, dhe ky i fundit do të jetë i humburi i radhës, nëse mendon se mund të bëjë pazar me Ramën, por nuk dihet, se ka mbrapa gjëra që nuk i dimë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb