TIRANË– Kryeministri Edi Rama ka vizituar sot në mesditë, komunën Novoselë të Vlorës, zonë e cila paraqitet edhe më problematikja. Ne kete vizite, kreu i qeverise shoqërohej nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Rreth situates, Kryeministri tha se ngritja në këmbë e të gjitha strukturave të shtetit ka shmangur çdo dëm njerëzor. Nga ana tjetër, ai ka njoftuar se dëmet e shkaktuara banorëve do të regjistrohen me detaje dhe do t’iu kërkohet ndihmë, për dëmshpërblim madje edhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Mobilizimi maksimal i të gjithë strukturave të shtetit, edhe pse një situatë e jashtëzakonshme, theksoi Kryeministri, bëri që të evitohen humbjet në jetë njerëzore. Kryeministri apeloi banorët të bashkëpunojnë dhe të evakuohen kur këto struktura ia kërkojnë.  Ndërsa njoftoi se do të bëhet një raport i hollësishëm i të gjitha dëmeve. Sigurisht që nga njëra anë është e qartë se kemi të bëjmë me një situatë tërësisht të jashtëzakonshme përsa i përket motit, çka e dëgjon edhe nga banorët që jetojnë në këtë zonë, por qe rezulton dhe nga të dhënat historike meteorologjike”, – tha Rama.

“Por nga ana tjetër, jam shumë krenar, sepse pa filluar “tërbimi” i motit, emergjencat civile bazuar në të dhënat meteorologjike, të kolauduara ndërkombëtarisht, janë përgatitur dhe të gjitha strukturat përgjegjëse të shtetit, në nivelin qendror dhe në nivelin e prefekturave kanë qenë të gjitha në këmbë dhe deri tani kanë shmangur çdo lloj dëmi në jetë njerëzit, dëm i pariparueshëm, kanë shmangur dëme të mëdha përsa i përket bagëtive dhe janë në krye të detyrës për të qëndruar deri në fund, në krah të njerëzve”, vijoi Kreu i ekzekutivit në fjalën e tij.

Sipas Ramës dëmet do të raportohen me hollësi. “Do të bëhet një raport i hollësishëm i të gjitha dëmeve. Ndërkohë kemi filluar të komunikojmë edhe me partnerët ndërkombëtarë. Sot paradite kemi qenë në komunikim më Brukselin, për të vlerësuar mundësinë e një mbështetjeje në këtë aspekt”, theksoi Kryeministri Rama.

“Po ashtu, një falënderim të veçantë kam për Ministrin e Bujqësisë dhe për të gjithë skuadrën që ai ka angazhuar qysh në shtator-tetorin e shkuar, në mënyrë që në tërësi të ketë një funksionim normal të hidrovoreve, që në tërësi të ketë një funksionim normal të strukturave, çka ka ndodhur dhe kjo është diçka pozitive”,- vijoi Rama.

Kryeministri Rama tha se kjo gjëndje vjen si pasoje e shfrytëzimit të mjedisit pa kriter. “Sigurisht që me këtë rast i paguajmë një çmim kostove të krijuara në vite me  ato çka i kemi bërë mjedisit, me ato çka i kemi bërë pyjeve, me ato çka i kemi bërë shtretërve të lumenjve dhe me bllokimin shumëvjeçar të shumë kanaleve. Vetëm gjatë kësaj periudhe 16 mujore, ne kemi hapur një sasi kanalesh në territoret ku fshati prodhon, të barabartë me dyfishin apo trefishin e sasisë së kanaleve të trajtuara në njëzet e kusur vite. Ka ende shumë punë për të bërë dhe do t’i adresojmë këto probleme, sigurisht bazuar në planin e parashikuar të 4-vjeçarit, por patjetër, edhe duke adresuar çka ka sjellë kjo fatkeqësi natyrore për gjithë pjesën e prekur nga dalja prej shtratit e lumit Vjosa”, -theksoi Kryeministri Rama.

“Le të shpresojmë që moti do të shkojë duke u përmirësuar, edhe pse parashikohet një tjetër stuhi dhe një tjetër prurje e madhe reshjesh rreth të mërkurës. Me lutjen që kjo të jetë e gabuar si parashikim, ne jemi të përgatitur. Dhe apeli im për të gjithë banorët, të cilëve strukturat shtetërore u kërkojnë të lënë shtëpinë është që të mos ngurojnë ta lënë shtëpinë dhe të mos e lënë veten pre të panikut mesnatës, apo pre të panikut kur gjërat shkojnë aty ku bëhen jashtëzakonisht të vështira dhe jashtëzakonisht të rrezikshme.”, -vijoi Rama.

RAMA NË LEVAN
Pas Novoselës, Kryeministri Rama inspektoi edhe një nga zonat e prekura rëndë nga përmbytjet në Fier, komunën e Levanit, i shoqëruar nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi, deputetët e Fierit, Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Prefekti i Fierit. Kryeministri Rama theksoi se prioritet është shpëtimi i çdo jete njerëzore. Ndërkohë që do të bëhet edhe identifikimi, inventarizimi i dëmeve si pasojë e përmbytjeve, të cilat do të kompensohen.
“Sigurisht që faza kritike ka qenë e lidhur në mënyrë ngushtësisht intensive me shpëtimin e çdo njeriu dhe familjeje në rrezik dhe me gjithë ndihmën e mundshme për të  shpëtuar bagëtitë. Tani, duke qenë tërësisht të përgatitur edhe për një prurje të dytë të fortë reshjesh siç parashikohet, mbase nuk do të jetë rasti, por sidoqoftë ky është parashikimi dhe ne jemi tërësisht të përgatitur për këtë”, tha ai.
Sa i takon kompensimeve Rama shpjegoi dhe rrugën që do të ndiqet nga pushteti lokal dhe vendor. “Do të fillojmë paralelisht me fazën që ka të bëjë me identifikimin, inventarizimin e të gjitha problemeve dhe dëmeve që kanë ardhur si pasojë dhe duke e trajtuar situatën si situatë fatkeqësie natyrore, do të adresojmë pastaj, problemet me shumë vendosmëri, në mënyrë që humbjet e mëdha sidomos të fermerëve, që siç e tha edhe prefekti kanë pasuar dëme në investimet e tyre, të kompensohen. Ky është objektivi që pason menjëherë atë të parin dhe më themelorin, për të mbrojtur çdo njeri, çdo familje dhe mundësisht për të shpëtuar të gjitha bagëtitë e rrezikuara, në ndërkohë që me patjetër nuk do të lëmë pas dore, edhe dëmet e jashtëzakonshme që i janë shkaktuara fermerëve të kësaj zone.”, përfundoi Kryeministri, Edi Rama.

(d.b/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: