Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, i ftuar në emisionin “Kjo Javë”, në “News-24”, ka folur për koalicionin e madh me 14 parti, por edhe për bashkëpunimin e PD-së me LSI-në. Paloka sqaroi se LSI është pjesë e fronit opozitar dhe bashkë, nëse fitojnë pas 25 prillit, do të jenë në bashkëqeverisjen e vendit.

Po ashtu ai theksoi se ndarja, është bërë për të maskimalizuar votat, pasi LSI, si një forcë e majtë qeverisëse mund të përthithë socialistët e zhgënjyer.

Gjithashtu, numri dy i Partisë Demokratike u ndal dhe tek pandemia e COVID-19 dhe tërmetet tragjike të 2019-ës.

Sipas Palokës qeveria Rama ka dështuar në menaxhimin e këtyre fatkeqësive që kanë rënë mbi Shqipërinë dhe nënvizoi se PD-ja do i kishte bërë gjërat shumë më ndryshe.

“Ne të gjithë, ti, unë dhe gjithë të tjerët kanë shokë, Rama thotë se s’kam asnjë mik. Tirana dikur ka qenë kaq e vogël, e kemi njohur njëri-tjetrin. Ai justifikohet me vetminë e liderit, ai ka qenë gjithmonë i vetmuar, i ka shfrytëzuar ato që ka mbajtur afër. Rama është i vetëm, ka qenë gjithmonë i vetëm, sot ka ardhur koha të largohet sepse ai mban përgjithësinë për të gjitha. Edhe socialistët me qindra janë zhgënjyer. Mbase kanë pritur gjithçka nga qeveria, ne nuk kemi pritur që Rama të bëj diçka, por ata mbase kanë pritur në aspektin personal. Ka edhe nga ata që e kanë personale, militantë që për 30 vite kanë investuar në PS dhe nuk janë vlerësuar”, tha Paloka.

Jemi tek buqeta me 14 aleatë. Ndalemi tek LSI-ja, kemi parë listat, emrat, garon e vetme dhe dy qarqe janë ata ku garohen me lista të përbashkëta. Cilat janë marrëdhëniet me LSI-në?

Edi Paloka: Janë marrëdhëniet e dy partnerëve më të mëdhenj në koalicion. PD është e para si forcë dhe e dyta është LSI. Theksohet që është një forcë e majtë. Në ideologji jemi të ndryshëm, pika e parë që na bashkon të gjithëve është që jemi të gjithë përballë të keqes që është Edi Rama, synimi ynë është të largojmë Ramën. Në qeverisje do të jemi bashkë, por edhe në programe, me sa po ndjek LSI-në, jemi detyruar të fusim shumë elementë social, nuk mbajmë një qëndrim të prerë të ideologjisë të djathtë

Sa besim keni tek LSI-PD dhe anasjelltas?

Edi Paloka: Përpara se të merrnim një vendim, kemi bërë studimet tona, analizat dhe na rezulton që kjo është forma më e mirë për të maskimalizuar votat. LSI është një forcë e majtë. Unë i ftoj të gjithë të votojnë PD, por për disa persona është më e lehtë të votojnë të majtët. Ne prandaj garuam veç e veç, sepse LSI në këtë rast përthith socialistët e zhgënjyer. Ne kemi taktikat tona. Rama bëri llogaritë e tij, në mënyrë të njëanshme shkatërroi koalicionet në formatin që ishte. Ne do të marrim jo vetëm mandatin që meritojmë, por ashtu siç bëri Rama që mori më shumë mandate se sa kishte vota, mund të rezultojë për opozitën kjo gjë.

Kjo qeveri ka pasur më tepër punë për të menaxhuar për shkak të COVID-it dhe tërmetit. Në fund të të gjithave, çfarë është bërë mirë që mund të konsiderohet pikë për ata. As sigurimi i vaksinave?

Edi Paloka: Rama na ka mashtruar që nga janari, na tha do të vijnë 10 mijë në janar, 40 mijë në shkurt, po në fakt kemi marrë pallavra. Vijnë vaksina që nuk dihet nga ku, kemi një marrëveshje gati që nuk ua them. Shihni konferencat në aeroport. Është e turpshme që del kryeministri dhe dy ministra dhe rrinë presin ca vaksina që vijnë si ato kutitë e picave. Në vendet e tjera, një infermierie bën katër vaksina në kohë rekord. Çfarë ndodhi tek ne, në stadium kombëtar, një gjysmë vaksine tek ne kalonte në 14 duar, kuptoni ku kemi arritur. Ai ka dështuar në gjithçka, tërmeti është fatkeqësi, fatkeqësia më e madhe është që është menaxhuar në thonjëza nga kjo qeveri.

Çfarë do të bënit ju ndryshe?

Edi Paloka: Qoftë dhe me pandeminë, Lulzim Basha ka dalë disa herë dhe ka thënë ç’duhet bërë. Janë pallate të rrënuara në Durrës, prandaj të ndryshohet kjo qeveri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb